Dule kritikon Berishën, rrëshqet majtas
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pritet të firmosë aleancën e bashkëpunimit me Partinë Socialiste përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Kongresi elektoral i PBDNJ-së përcaktoi dje, ndonëse jo në një mënyrë të prerë, që për herë të parë kjo parti të nënshkruajë kontratën paraelektorale me një nga dy forcat më të mëdha politike. Burime pranë strukturave drejtuese të PBDNJ-së pohuan për "Shqip" se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë në koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit me të majtën. Koalicioni pritet të konkretizohet në formë të prerë një ditë përpara skadimit të afatit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ dhe të firmoset më 13 maj me Partinë Socialiste. Arsyeja e vërtetë që pengoi PBDNJ-në të bëjë publik vendimin e saj menjëherë pas përfundimit të Kongresit, është fakti se kjo forcë politike përfaqësohet me një ministër në kabinetin "Berisha". Pengesa që PBDNJ-ja të shkonte përkrah Berishës në zgjedhjet e 28 qershorit është marrëveshja që Kryeministri nënshkroi me Partinë për Drejtësi dhe Integrim, e cila përfaqëson interesat e komunitetit çam. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, do të jetë i pari në listën e tri qarqeve: në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Listën e kandidatëve në Tiranë do ta kryesojë një tjetër figurë me emër në PBDNJ, ish-ministër i qeverisë "Nano", Leonard Solis. Kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ndonëse ishte i pranishëm në këtë Kongres, nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, duke mos dhënë dorëheqjen nga karrigia e kryebashkiakut të Himarës. Gjatë fjalës së hapjes së fushatës elektorale të PBDNJ-së, kryetari Dule foli me gjuhën e partisë më të madhe në opozitë, duke kritikuar mënyrën se si është qeverisur vendi. "Integrimi në NATO dhe vetë arritja në Aleancë u përdor si slogan demagogjik, më shumë se si arritje e të gjithë shqiptarëve", u shpreh Dule, duke bërë në këtë mënyrë kritikën e parë ndaj qeverisë "Berisha". Dule kërkoi me forcë gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor t‘u krijohej mundësi emigrantëve të votonin, gjë që nuk ndodhi. "Qeveria, në të cilën ne kontribuojmë, u angazhua se në zgjedhjet e kësaj radhe emigrantëve do t‘u garantohej e drejta e votës. Edhe në këtë sektor të politikës mbizotëron slogani dhe spekulimi", u shpreh Dule. Sipas tij, shteti duhet të mos jetë më ai mekanizëm konservator që nuk e pranon ndryshimin, nuk e pranon risinë, nuk e pranon frymën e re në trajtimin nga ana e tij të qytetarit dhe të shoqërisë. Në kongresin e PBDNJ-së, Dule tha se në 4 vitet e ardhshme do të investohet në modernizimin e shtetit shqiptar, në përmirësimin e jetës në fshat dhe në kujdesin e veçantë për emigrantët, ndërsa shprehu pakënaqësitë për hapësirat e manipulimeve në këto zgjedhje. Dule ka marrë miratimin e Kongresit që të martën më 12 maj, në interes të parimeve të PBDNJ-së dhe me ndihmën e OMONIA-s, të vendosë pjesëmarrjen në një koalicion. "Nëse do të duhet që të lëmë mënjanë krenarinë tonë të kandidimit më vete, do dëshironim pëlqimin tuaj që me shumë vëmendje ditën e martë strukturat drejtuese të PBDNJ-së në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë, me OMONIA-n, me Unionin Vllah, me shoqatën ‘Rozafa‘, do të nxjerrim një vendim përfundimtar", tha Dule.