E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja e Jashtëzakonshme zgjedh Esat Ademin president të KOKSH-it

 

Asambleja e Jashtëzakonshme e mbledhur me 2/3 e anëtarëve me të drejtë vote ka zgjedhur Esat Ademin si president të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kreu më i ri i KOKSH-it mori në total 41 vota kundrejt 5 të kandidatit tjetër Rezart Taçit, president ky i Federatës Shqiptare të Shahut dhe katër vota rezultuan të pavlefshme. Punimet e djeshme filluan me ngritjen e komisionit i cili do të drejtonte në vijim asamblenë e jashtëzakonshme. Pas propozimeve të shumta nga salla mes delegatëve u miratuan në unanimitet emrat e Vesel Rizvanollit, Suela Haxhijas, Klodiana Shalës, Leonard Tases, Korab Llazanit, Lindita Kodrës dhe Gerti Trashës. Ndërkohë që posti i kryetarit të Komisionit iu besua sekretarit të Federatës së Basketbollit Korab Llazani. Më pas u kalua me përcaktimin e komisionit të verifikimit të mandateve ku u zgjodhën Ilir Kraja, Mustafa Tukseferi e Fiqiri Guri dhe më tej me komisionin e votimit. Si kryetar u zgjodh sekretari i përgjithshëm i Federatës së Atletikës Nikolin Dionisi dhe anëtarë ish-olimpisti Ilir Suli dhe numri 2 i Federatës së Boksit, Edmond Kabashi. Pas njohjes me komisionet, Llazani njohu të pranishmit në asamble me 18 kandidaturat e propozuara për 10 vende në Komitetin Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar. Kërkesa e presidentit të Federatës së Lojës Brixh, Kostandin Kapo që në Komitet të kishte edhe një përfaqësues nga sportet jo olimpike nuk u vu në diskutim dhe u miratua në unanimitet. Më pas u bë prezantimi për president. Pas distancimit të Fidel Yllit nga kjo gara, kandidati i vetëm në këtë asamble ishte Ademi ndërkohë që nga salla u propozua presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, propozim ky i bërë nga sekretari i përgjithshëm i po kësaj federates Sabri Bejleri. Përveç mungesës së 8 federatave, në këtë asamble të jashtëzakonshme nuk ishin prezentë drejtuesit e KOKSH-it aktual dhe komitetit ekzekutiv të tij. Punimet u ndoqën nga afër nga dy përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, drejtori Vasil Bici dhe inspektoria Violeta Shqevi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›