E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fari Balliu, dekoratë në Francë për “Gruan e Djallit”

 

Në Francë kanë menduar t’i vënë një tjetër emër, sepse ajo ishte më e zezë se e zeza. “La femme du diable”,(“Gruaja e Djallit”) libri i shkrimtarit dhe botuesit Fahri Balliu, i njohur në shqip me titullin “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”, nuk ka kaluar pa u vënë re në Francë. Vetëm 2 muaj pas botimit të tij në gjuhën frënge, autori i tij ka merituar dekoratën e Mediatorit të Francës (Avokati i Popullit) për “kontribut të shquar në mbrojtjen e lirive dhe të së drejtave të njeriut”. I themeluar në vitin 1973, kjo dekoratë i jepet personaliteteve franceze e të huaja, për merita të veçanta. Vetëm dy ditë më parë, në Paris, Mediatori i Republikës së Francës dhe enti botues franko-zviceran “Favre” organizuan promovimin e librit “La femme du diable - Gruaja e Djallit”. Në ceremoni morën pjesë personalitete të jetës publike në Francë, publicistë, njerëz të librit si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar aty. Merrte pjesë ambasadori i Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçkaj si dhe Geneviève Garrigos, presidente e “Amnesty France”, degës së prestigjiozes “Amnesty International”. Mediatori i Francës, Jean-Paul Delevoye foli për kontributin që jep përkthimi i librit në frëngjisht, në mënyrë që publiku francez e ai evropian të kuptojë më mirë shkeljen brutale të së drejtave të njeriut në Shqipërinë komuniste, në njërën nga diktaturat më të egra në Evropë. “Në diktatura të tilla, roli i bashkëshortes së diktatorit ka qenë thelbësor në natyrën e brutalitetit të regjimit. Është e sigurtë se gratë e diktatorëve kanë një rol prej protagonisti në ushtrimin e diktaturës. Mund të numërojmë disa shembuj, po ku më mirë se në librin e zotit Balliu del roli thellësisht antinjerëzor, që gruaja e djallit, që ishte diktator i Shqipërisë ka luajtur për 50 vjet në historinë e vështirë të mbijetesës, që shqiptarët ia ofrojnë si përvojën e tyre më të keqe publikut evropian”,- theksoi Delevoye. Në emër të qeverisë shqiptare, ceremoninë e ka përshëndetur zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës Halit Shamata, i cili u ndal kryesisht në rëndësinë e përkthimit dhe të publikimit në frëngjisht të monografisë “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”. “Ky libër, përbën një ngjarje edhe për lexuesin francez, i cili ka rastin të njihet, së brendshmi dhe së afërmi me kupolën e regjimit komunist shqiptar si dhunimi më ekstrem i të drejtave dhe lirive të individit”, - tha ai. Vetë autori i librit, Fahri Balliu, në përshëndetjen e vet ka falënderuar mediatorin e Francës për ceremoninë, shtëpinë botuese “Favre” për publikimin e librit, i cili po njeh një sukses mbresëlënës në libraritë e Parisit, si dhe përkthyesin e veprës, për kontributin në përcjelljen besnike të ndjesisë së papërsëritshme që provojnë shqiptarët, sa herë flitet për bashkëshorten e diktatorit Hoxha. Në përfundim të ceremonisë, mediatori i Francës, zoti Delevoye e dekoroi zotin Fahri Balliu me një dekoratë mirënjohjeje “për kontributin e dhënë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, përmes aktivitetit të tij letrar e publicistik, si dhe për publikimin në frëngjisht të veprës “La femme du diable”, me të cilën lexuesit francezë u njohën edhe më tej me brutalitetin e regjimit komunist në Shqipëri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›