E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i të rinjve, shpallet konkursi

 

Teatri Kombëtar shpall të hapur aplikimet për “Festivalin e të Rinjve”. Ky projekt edhe këtë vit do të menaxhohet nga Teatri Kombëtar dhe është i ndarë në disa faza, ku përfshihet zhvillimi dhe dorëzimi i projekteve, vlerësimi e në fund zbatimi dhe shfaqja e tyre. Si zakonisht festivali do të zhvillohet në muajin tetor për të vijuar më tej me një turne në disa qytete të vendit. Ky projekt është konceptuar si konkurs që u jep mundësinë artistëve të rinj të regjisë, skenografisë, kostumografisë dhe aktrimit të debutojnë krijimet e tyre në skenën e TK, me qëllim zbulimin dhe evidentimin e talenteve të rinj, të paafirmuar më parë, të cilët do të rigjenerojnë trupën dhe do të sjellin risi më këtë zhanër. Impakti i këtij projekti është ndikimi i drejtpërdrejtë në integrimin e artistëve të rinj në institucionet publike të artit, mundësimin e konkurrencës mes të rinjve më të spikatur dhe rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike kombëtare të kulturës për krijimin e hapësirave në shërbim të artistëve të rinj. Këtë vit, do të jenë përfitues 6-7 projekte dhe fondi publik i akorduar nga MTKRS është 5,5 milionë lekë. Për vitin 2009, përpos Festivalit të së Rinjve, i cili kurorëzohet me shpalljen e veprës fituese dhe përfshirjen e saj në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar, është menduar që premierat të kryejnë një turne në disa nga teatrot bashkiakë. Kjo në funksion të njohjes dhe afirmimit të artistëve të rinj edhe në teatrot e qyteteve kryesore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›