Haliti: Greqia s’më ndryshoi ngjyrat
Alma Mile
Muret kanë marrë ngjyrë vishnje, apo “vino rosto”, siç e quajnë profesionistët. Ishte ngjyra më e përshtatshme, për të konturruar udhëtime të vdekurish që çohen nga varri, rrasa guri që kthehen në kuaj, gra lehona të murosura me një gjoks jashtë... Ditën e hënë, në muzeun “Mezuraj”, piktori Helidon Haliti hapi ekspozitën e tij personale. Falë një kontrate që ai ka lidhur me këtë muze, në këtë ekspozitë paraqiten të gjitha fazat e krijimtarisë së tij, qysh se ka qenë nxënës në lice e deri në punët më të fundit. Që nga vizatimet e akuarelet, tek ciklet dhe pikturat me përmasa të mëdha. Janë punë të shkëputura nga ciklet “eksperimentale”, “Portrete”, “Kostandini dhe Doruntina”, “Nudo”, “Peizazh”, “Ngujimi”, “Luna park”, etj. pavarësisht motivit, piktori përdor ngjyra të forta, që nga e kuqja, e gjelbra, bojëqielli, por edhe e zeza. Ngjyra mesdhetare. Plot jetë, plot dritë. Edhe tek një portret i trishtë shquajnë dy buzë të kuqe, edhe tek një kalë që mbart një të vdekur feks ngjyra e gjakut. Mes gjithë kësaj morie punësh, Haliti i ka lënë pak më shumë hapësirë veprave të mbështetura mbi mitet shqiptare. Që nga ai i Kostandinit dhe Doruntinës, tek kunatat, tek miti i murosjes... Sipas piktorit, mitet shqiptare, nuk janë të njohura në botë dhe është e nevojshme që të huajt të na njohin me gjithë pasurinë dhe të veçantat që kemi. Dhe duket se me këtë cikël, ia ka arritur qëllimit. “Pëlhurat e Helidon Halitit kanë aftësinë ta bëjnë njeriun të ndalojë përpara tyre, pa e ditur ndoshta emrin e tij, moshën apo vendin ku ka lindur. Ky është akti i parë i papërsëritshëm i artit. Një artist që e ka këtë dhunti, mund të thuhet se e ka çelësin e enigmës”, - shprehet për të, shkrimtari i madh, Ismail Kadare.
Ç’mund të na thoni rreth kësaj ekspozite, duke qenë se edhe subjektet që trajtoni janë të veçanta?
Është hera e parë që kam pak për të thënë e shumë për të treguar. Por kjo është fuqia e pikturës. Kur jeton për një kohë të gjatë në një vend tjetër, pavarësisht se distancat janë shumë të vogla, ndjen nevojën për të treguar diçka, për të thënë që ne nuk jemi thjesht ata njerëzit që dolën prej vitit ’91. Në një farë mënyre u thua, ne përqafojmë mitet tuaja, por ju ofrojmë dhe tonat. Por kjo ishte e pamundur në Greqi, sepse ata të imponohen me mitet e tyre e më tej fillojnë përplasjet për origjinën e miteve.
Përse keni rimarrë pikërisht mitet?
Mitet na tregojnë se ne shqiptarët nuk jemi të ezauruar në Evropë. Mitet shqiptare nuk janë të njohura në botë. Kjo sa i përket anës vizive, sepse i ka paraqitur Kadare në mënyrë të mrekullueshme në romanet e tij. Sa herë shkoj në Greqi ndihem i lodhur nga informacioni i shumtë, që marr atje mbi mitet e tyre, ndërsa ndodh e kundërta me mitet shqiptare. Kjo ishte ajo që më shtyu të organizoja një vit më parë ekspozitën “Shije nga Shqipëria” në Amsterdam, madje ta vazhdoj edhe më tej për 2-3 vite me radhë, me idenë që të mund të ndikohen prej saj edhe të rinjtë, që të mund të korrigjojnë ato që unë nuk kam bërë mirë dhe Shqipëria të bëhet e njohur me mitet e saj. Kjo pa dyshim do të tërheqë edhe turistë, sepse jemi shumë të pasur, jemi shumë të mirë, Shqipëria po ecën... Por duhet të paraqesim më të veçantën, sepse të huajt janë shumë të ashpër në kërkesa. Nëse nuk paraqitesh si shqiptar në Evropë, apo edhe më gjerë, atëherë është e kotë, sepse nuk kemi se çfarë të sjellim. Temat tashmë janë ezauruar dhe nis lodhja. Por jo vetëm mitet, por edhe ngujimi, një problem me të cilin ne përballemi dhe nuk mund t’i shmangemi dhe duhet ta prekim e ta tregojmë në pikturë.
Ju është dashur të rilexoni mitet, të kërkoni origjinën e tyre?
Nuk i kam rilexuar mitet, sepse doja t’i ofroja ato, ashtu si i mbaja mend dhe si ato kanë zënë vend tek unë. Leximi ndoshta do ta kishte prishur magjinë. Është një gamë e tërë informacioni që e merr nga televizioni, nga leximet e hershme, nga bisedat, të cilat shtresëzohen. Im atë më ka ndihmuar shumë me tregimet e tij, gjithashtu dr. Moikom Zeqo, me udhëtimet që kemi bërë e kemi prekur me dorë. Por kam preferuar të rri pak me kolegë e më shumë me vetveten.
Kur ka qenë ekspozita e juaj e fundit në Shqipëri?
Ekspozita e fundit ka qenë në vitin 1993 dhe nuk do të nguroja pa thënë, që të katër kërkesat e mija në Galerinë Kombëtare kanë qenë jo negative, por indiferente, kështu që në ekspozita e fundit ka qenë në vitin ’93 në Muzeun Kombëtar dhe tani është ekspozita e parë pas gati 20 vitesh, por kam ekspozuar në një ekspozitë kolektive në “Mezuraj” dy vjet më parë.
Sa ka ndikuar jeta në Greqi në motivet dhe mënyrën tuaj të së pikturuarit?
Në Greqi qëndrova 12 vjet dhe këto tri vitet e fundit jam shkëputur, qëndroj në Shqipëri, por vazhdimisht shkoj. Qëndrimi atje ka ndikuar, pothuaj aspak. Gjithçka ndodh në mënyrë instiktive, thuajse reminishence, duhet të ketë diçka, por unë insistoj dhe them asgjë. Ngjyrat greke janë bojëqielli dhe gri, ndërsa këtu janë shumë të rralla këto ngjyra. Këtu janë ngjyrat shqiptare, janë ngjyrat e miteve, ato që shohim çdo ditë. Është instinkti që të çon tek ato.