Spanja tërhiqet nga Kosova, reagon SHBA-ja dhe NATO
Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Karme Shakon, ka njoftuar mbi planet për tërheqjen e trupave nga Kosova, me argumentin se ‘misioni është përmbushur”. Ndërsa kryeministri spanjoll Hoze Luiz Rodrigez Zapatero e cilësoi Kosovën si të qëndrueshme. Ai tha se misioni ka humbur pjesërisht kuptimin, pasi udhëheqësit shqiptarë të Kosovës shpallën një vit më parë pavarësinë nga Serbia. Spanja, ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, zyrtarët kosovarë shprehin mirënjohje për kontributin e ushtarëve spanjollë në kuadër të KFOR-it. Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, tha se kontingjenti spanjoll ka kontribuar shumë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë në kuadër të misionit ushtarak të NATO-s. “Vlerësojmë se puna e KFOR-it spanjoll ka qenë shumë e mirë dhe ky kontingjent ka qenë i mirëpritur nga qytetarët e Kosovës, si të gjitha kontingjentet tjera të KFOR-it. Njëkohësisht, ne vlerësojmë se në Republikën e Kosovës gjendja e përgjithshme e sigurisë çdo ditë është më e mirë dhe vendi ynë ngadalë, por në mënyrë të sigurt, po shndërrohet në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, tha Beqiri. Por Shtetet e Bashkuara shprehën habi dhe zhgënjim të thellë pas njoftimit të Spanjës, se do të tërheqë kontingjentin me 600 trupa nga Kosova brenda pak muajsh. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se aleatët e NATO-s kishin rënë dakord në parim, që në vitin 1999, se do të angazhoheshin së bashku në Kosovë dhe do të largoheshin që andej së bashku. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer ka tërhequr vërejtjen kundër zvogëlimit të ndjeshëm të pranisë ushtarake në Kosovë.