E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e KE-së pezullon të drejtën e votës për Shqipërinë

Eljona Ballhysa
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka parashikuar në axhendën e punimeve për seancën e ditës së enjte “mospranimin e kredencialeve të delegacionit të Shqipërisë”. “Një çështje që do të debatohet në seancën e së enjte në mëngjes është mospranimi i kredencialeve të delegacioneve parlamentare të Shqipërisë dhe Armenisë, një çështje që do të diskutohet në të njëjtën ditë”, - shkruhet në axhendën e Asamblesë së KE-së. Kjo do të thotë që deri në akreditimin ose jo të delegacionit shqiptar pranë Asamblesë, Shqipëria nuk do të ketë të drejtë vote. Ky është një vendim mjaft i rëndë për Shqipërinë për shkak se janë të pakta institucionet ndërkombëtare ku vendi ynë ka të drejtë vote. Kështu është komentuar ky vendim nga ish-nënkryetari i Asamblesë së KE-së, njëkohësisht kryetar i delegacionit shqiptar, Aleksandër Biberaj. Ai e cilësoi si një vendim që dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë dhe që është marrë për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga kryetarja Jozefina Topalli.
Reagimi
“Ky është dëmtim i rëndë i imazhit të Shqipërisë. Kjo ndodh për herë të dytë brenda harkut kohor të një viti. Do të thosha është antireklama më e mirë për Shqipërinë, nga ata që kemi zgjedhur për të drejtuar këtë vend. Një vendim i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së balancës politike të delegacionit shqiptar, pasi është kusht që delegacionet duhet të kenë në përbërjen e tyre balancë politike. Në raportet e tyre, drejtuesit e Asamblesë në Strasburg kanë parë që delegacioni shqiptar nuk ka qenë i balancuar. Uroj që Asambleja gjatë kësaj jave të ndikojë që të rregullohet kjo situatë, pasi Asambleja është një ndër institucionet ku ne marrim pjesë me të drejtë vote. Kjo vjen për shkak të shkeljes së Rregullores së Parlamentit shqiptar si dhe atij Europian nga spikerja e Parlamentit shqiptar për përbërjen e delegacionit”, - është shprehur Biberaj.
Vetëm dy ditë më parë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Topalli, ka dërguar listën me emrat e anëtarëve të delegacionit shqiptar pranë Asamblesë së KE-së. Si përfaqësues të PD-së ajo ka vendosur në listë Ilir Rusmalin, i cili do të vazhdojë të mbajë postin e kreut të këtij delegacioni dhe Lajla Përnaskën. Gjithashtu, si pjesë e kësaj liste është edhe deputeti çam i PDU-së, Shpëtim Idrizi, ndërsa opozitës i është lënë vetëm një vend i paplotësuar. Në listën e zëvendësuesve sërish Topalli ka përfshirë dy përfaqësues të djathtë, deputetet Arenca Trashani dhe Mesila Doda. Kësaj liste i është bashkangjitur edhe deputeti socialist Kastriot Islami, i cili, siç evidentohet në njoftimin e KE-së, nuk përcaktohet se kujt partie i përket. Ndërsa opozitës sërish i është lënë një vend si zëvendësues i paplotësuar, për shkak të refuzimit që PS-ja i ka bërë Kuvendit.
Shkelja
Parashikimi në axhendën e punimeve të Asamblesë së KE-së, rishikimi i kredencialeve të delegacionit shqiptar, do të thotë se lista e dërguar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është në kundërshtim me normat që përcakton Rregullorja e këtij institucioni. Duket se lista nuk përmbush kushtin primar, atë të balancimit të pjesëmarrjes politike të anëtarëve të tij. Së dyti, emrat e përzgjedhur nga Topalli nuk kanë kaluar në procedurat normale, pasi nuk janë diskutuar dhe miratuar as në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk janë miratuar as në seancë plenare. Shkelja e kësaj procedure përbën një rast të përsëritur të kryeparlamentares Topalli, pasi edhe një vit më parë ajo shkarkoi dhe zëvendësoi në këtë delegacion Aleksandër Biberajn pa marrë një vendim më parë në seancë plenare, çka u detyrua ta bënte më pas si rrjedhojë e presionit të medias.

Reagimi
Dokle e Dade: Topalli shkel Rregulloren e Asamblesë së KE-së me diversionin ndaj opozitës

Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe selia rozë në lidhje me vendimin e Asamblesë Parlamentare të KE-së. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, akuzoi për këtë vendim negativ për Shqipërinë kryetaren e Kuvendit Jozefina Topallin. Sipas Dades, Topalli ka shkelur rregulloren e Asamblesë së KE-së pasi ka tentuar të bëjë diversion ndaj opozitës. Edhe Namik Dokle, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, e ka cilësuar të gabuar nismën e Topallit për të përfshirë në delegacion emrin e Kastriot Islamit si përfaqësues i PS-së, ndërkohë që nuk ka marrë miratimin e Grupit Parlamentar të PS-së. “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës edhe njëherë na jep leksione demokracie për maxhorancën shqiptare. Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka se si funksionojnë. Përkundrazi, ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj. Topalli mëse njëherë nuk e ka kryer këtë detyrë më së miri, duke dëmtuar imazhin e vendit. Ajo u është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe Rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Konstatimi sipas medias, se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Europës, është një mësim tjetër që maxhoranca duhet ta marrë”, - është shprehur Dade. Ajo shtoi se PS-ja do të vazhdojë rrugën e protestave deri në vendosjen në vend të demokracisë. “Për këtë arsye ne do të vazhdojmë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave europiane që shqiptarët aspirojnë. Gjithashtu, ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës”, - është shprehur Dade.

Ruseti: “Kërkesa e PS-së për të sfiduar kredencialet e delegacionit, përpjekje dashakeqe ndaj vendit”

Pas vendimi i Asamblesë së KE-së ka reaguar dje kryetarja e Kuvendit nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Suela Ruseti. Ajo e ka cilësuar vendimin e Asamblesë si një përpjekje dashakeqëse që ka bërë Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila, sipas Rusetit, ka kërkuar shqyrtimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar pranë Asamblesë së KE-së. “Kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Europës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit. Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës ka pasur vetëm një anëtar, dhe ky është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës. Shtoj këtu se nga Asambleja e KE-së, zoti Islami është raporter për
Gjeorgjinë. Lidhur më këtë nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt. Kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se nëse në Legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj radhe asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues”, - është shprehur Ruseti, ndërsa ka shtuar se është respektuar Rregullorja e Kuvendit përsa i përket përbërjes së delegacionit. “Atyre që shohin me kënaqësi sfidën e kredencialeve u bëjmë të ditur se proceduralisht është shfrytëzuar e drejta e Rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. Kuvendi ka zbatuar ligjin, Rregulloren dhe mandatet e deputetëve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e KE-së janë krejtësisht legjitime”, - është shprehur zëdhënësja për shtyp e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.

Anëtarët e delegacionit shqiptar
Përfaqësuesit
Shpëtim Idrizi (Partia për Drejtësi dhe Unitet)
Lajla Përnaska (Partia Demokratike)
Ilir Rusmali (Partia Demokratike)
(Vend bosh i PS-së)

Zëvendësuesit
Mesila Doda (Partia Demokratike)
Kastriot Islami (Partia Socialiste)
Arenca Trashani (Partia Demokratike)
(Vend bosh për opozitën)

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›