E Diel, 1 Nëntor 2026

Pozicioni juridik i Mediut dhe fati i Gjykatës së Lartë

Dy anët e medaljes së një procesi që zhvillohet për herë të parë
Laureta Rryçi

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, 12-vjeçari Roxhers Durdaj na dha të gjithëve një mësim. Nëse vërtet na shkelet një e drejtë si qytetarë të këtij vendi, duhet të kërkojmë që të na rivendoset kjo e drejtë, pavarësisht se kë do të kemi përballë, qoftë ky dhe zyrtar i lartë. Pa marrë përsipër të japin ne verdiktin, të konsultuar nga juristë, gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm dy anët e medaljes së këtij procesi të rrallë për nga historia e Drejtësisë shqiptare. Gjykata e Lartë sapo ka pranuar paraprakisht dy padi me të njëjtin objekt, që kanë si palë akuzuese ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të dy banorë të Gërdecit, të dy të dëmtuar nga tragjedia që ndodhi më 15 mars të vitit 2008. Për të dy paditësit duhet të ketë ndëshkim ligjor ndaj ministrit Mediu. Mirëpo sa gjasa ka që kërkesa e tyre t’i kalojë të gjitha hendeqet ligjore dhe të marrë një vendim vetëm pasi të ketë mbaruar një proces i rregullt.
Pozicioni i Mediut
Pavarësish se për të konsiderohet e mbyllur një herë e mirë padia penale për tragjedinë e Gërdecit, një fakt është i dukshëm, se të gjitha dosjet ende nuk janë kyçur. Ministrit Mediu i duhet të përballet me paditë e dy banorëve nga Gërdeci; me padinë e Roxhers Durdajt dhe të Alketa Hazizajt. Aktualisht, ministri, përveç postit, gëzon dhe imunitet për shkak të mandatit që mori në zgjedhjet elektorale të qershorit të vitit 2008. Mandat i cili e shpëtoi dhe nga dosja e madhe penale e punuar nga një grup prokurorësh. Pas këtyre dy padive, imuniteti i ministrit duket se nuk është më dhe aq i sigurt. Nga momenti në moment kolegji penal që do të shqyrtojë kërkesat e të dëmtuarve mund t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit për vazhdimin e mëtejshëm të procesit. Por kjo mbetet ende një hipotezë vetëm e parashikuar nga ligji në të tilla raste. Aq sa është e parashikuar dhe ana tjetër që ministri Mediu do të vazhdojë ta mbajë imunitetin pasi paditë mund të mos përbëjnë objekt për vazhdimin e procesit. Në rastet kur kolegji mund t’i konsiderojë paditë pa një subjekt konkret që fajësojnë ish-ministrin, atëherë mund të përballemi me një vendim për pushimin e çështjes.
Ana tjetër e medaljes
Gjykata e Lartë, me vendimin që do të japë për këto padi, do të shënojë edhe një precedent për Drejtësinë shqiptare. Precedentin e qytetarit përballë zyrtarit dhe dhënien e drejtësisë ku pretendohet se të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Nëse çështja pushohet që në seancën e parë, atëherë shumë nga ne do të mendonte se e gjithë kjo ishte për të larë pak “mëkatin” e vendimit të parë për ministrin dhe për të shpëtuar një herë e mirë atë nga përgjegjësitë penale dhe civile ndaj kësaj tragjedie.

Box

Gjykata e Lartë dhe dy proceset e mëdha, “Basha” e “Mediu”

Gjykatës së Lartë iu dha mundësia dy herë këtë vit që t’i rikthente opinionit publik besimin te Drejtësia. E megjithatë, kolegjet penale i kyçën njëherë e mirë dy dosjet më të mëdha, “Basha” e “Mediu”, pavarësisht se nuk u dha pafajësi. Precedenti i shumëpritur nuk u ligjërua. Seancat gjyqësore u mirëpërcaktuan nga axhendat e dy ministrave dhe u zhvilluan vetëm atëherë kur dëshiruan ata. Shembullorët e procesit, që nuk munguan në asnjë seancë, ishin vetëm prokurorët dhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit në procesin “Mediu”. Për të dyja dosjet u nis gjykimi gjatë këtij viti dhe të dyja patën të njëjtin fat: zgjatën vetëm pak kohë dhe u pushuan pa nisur gjykimi për ta. “Kolegji penal nuk mund të riparonte pavlefshmëritë e krijuara nga institucioni i akuzës”. Kështu shkruhet midis rreshtave të një prej vendimeve të argumentuara të Gjykatës së Lartë për çështjen në fjalë. Në këtë mënyrë, pesëshja e gjyqtarëve ka larë ndërgjegjen me Drejtësinë, duke ia kaluar përgjegjësinë tërësisht trupës së prokurorëve. Ndërsa dy vendimet e Kuvendit për heqjen e imunitetit s’i shërbyen kurrkujt.

Precedenti
Kërkesa për Bashën që mbeti në sirtar

Deputetët dhe politikanët mund të shpifin sa herë dhe si të duan publikisht, pasi edhe në rastet kur u kërkohet heqja e imunitetit nga Gjykata e Lartë, në ndihmë për të mbyllur çështjen i vjen më së miri Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Precedenti është shënuar në rastin e deputetit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndaj të cilit kolegji penal i Gjykatës së Lartë mori në vitin 2008 në shqyrtim padinë e ngritur kundër tij për shpifje publike të kërkuara nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjykata e Lartë vendosi që t’i kërkonte Kuvendit autorizim për të proceduar penalisht deputetin Basha për akuzën e shpifjes. Këtë kërkesë për autorizim, kolegji penal i Gjykatës së Lartë, së bashku me vendimin, e ka dërguar me datë 9 janar 2008 pranë Kuvendit të Shqipërisë. Por, ndërsa Kuvendi dhe kryetarja e tij, Jozefina Topalli, sipas ligjeve në fuqi duhet të kishte nisur procedurat që do të mundësonin dhënien e autorizimit Gjykatës së Lartë për ta proceduar penalisht deputetin e maxhorancës, Lulzim Basha, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas Nenit 18, pika 1 e ligjit për Kuvendin, "kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit te Kuvendit. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë". Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në Komisionin e Mandateve dhe për më tepër nuk është zhvilluar një seancë plenare në lidhje me kërkesën e depozituar në drejtim të ministrit dhe deputetit të maxhorancës, Lulzim Basha.
Edi Rama paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesën për të proceduar penalisht deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Lulzim Basha, duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale të shpifjes së bërë botërisht në dëm të tij, vepër kjo që parashikohet nga Neni 120/2 i Kodit Penal. Sipas kërkesës, gjatë kohës që deputeti Lulzim Basha kryente detyrën e ministrit të Transporteve, gjatë një debati televiziv të zhvilluar në një televizion kombëtar në datën 01.02.2007, ndër të tjera ka shpifur në dëm të kërkuesit Edi Rama duke u shprehur se: "Është ai zotëri për të cilin thonë shërbimet e huaja se ka 70-80 milionë euro depozita, vila në Rimini, vila në Spanjë, ka një kompani ndërtimi që ndërton nga Madridi deri në Sevilje, me president Blendi Gonxhen. Ka shërbime të huaja që llogarisin se shefi juaj politik ka 70-80 milionë euro pasuri". Sipas kërkuesit, këto thënie të përsëritura disa herë gjatë debatit televiziv jo vetëm janë shpifje, pasi nuk janë të vërteta, por kanë pasur si qëllim denigrimin e figurës së tij në sy të opinionit publik dhe në mënyrë të veçantë të elektoratit të tij.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›