E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Ministri Mediu humb seancën e pajtimit me të miturin

Laureta Rryçi

Roxhers Durda, 12-vjeçari nga Gërdeci, nuk e fali dje ministrin Fatmir Mediu për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008. Seanca në Gjykatën e Lartë përballi për më shumë se tri orë të dëmtuarin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Vendimi i të miturit për t’i shkuar deri në fund procesit e përfshin zyrtarin e lartë në një padi ndryshe nga herët e tjera. I mituri humbi në tragjedi nënën, banesën dhe personalisht mori plagë të shumta në trup. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ndjekur nga avokatët e tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani, hyri dje në heshtje dhe doli po me të njëjtin qëndrim në mesditë nga ambientet e Gjykatës së Lartë, duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat. Në seancën e djeshme të pajtimit mësohet se Mediu i ka shprehur keqardhjen e tij paditësit të mitur Roxhers Durda për gjithë sa ka ndodhur në tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Por, për të miturin, kjo keqardhje pas dy viteve ka qenë e pamjaftueshme, pasi mungesa e nënës dhe plagët që ka marrë ia bëjnë të vështirë ta harrojë ditën e 15 marsit.
Seanca
Seanca e djeshme zgjati më shumë se tri orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, duke lejuar kështu në sallë vetëm palët në proces. Burime që ishin të pranishme në sallë pohuan dje për gazetën “Albania” se kolegji penal fillimisht e ka njohur ministrin Mediu me akuzën e “plagosjes me dashje” që rëndonte mbi të, si dhe me palën që e ka ngritur këtë akuzë. Në krah të ministrit dhe dy avokatëve të tij ka qenë i mituri Roxhers Durda, i cili së bashku me avokatin kanë mbajtur të njëjtin qëndrim gjatë gjithë seancës. Për shkak të procedurës që ndiqet në të tilla raste, mësohet se kolegji u ka ofruar palëve mundësinë e pajtimit. Fillimisht ka qenë ministri ai që është shprehur i pari. “Unë shpreh keqardhjen për të gjithë banorët e Gërdecit që u prekën nga ajo tragjedi. Më vjen keq dhe për Roxhersin që ka humbur nënën e tij dhe ka marrë dëmtime dhe vetë, mirëpo djali duhet ta dijë se nuk jam unë fajtori i asaj tragjedie. Unë keqardhje dhe falje mund të kërkoj për hir të postit që kam pasur në atë kohë si ish-ministër i Mbrojtjes”, - mësohet të ketë thënë Mediu. Më tej ai ka argumentuar para kolegjit të Gjykatës së Lartë se ndodhet
përballë kësaj situate për shkak të politizimit të kësaj fatkeqësie. Mirëpo, me gjithë argumentet e zyrtarit të lartë, 12-vjeçari ka qenë ai që ka thënë fjalën e fundit në seancën e djeshme. Mësohet se atij i është lënë pak kohë të mendohej për këtë mundësi pajtimi dhe nëse dëshironte që të hiqte dorë nga padia ndaj ministrit Mediu. Të njëjtat burime shpjeguan se Roxhersi, i konsultuar dhe me avokatin e tij, nuk ka marrë shumë kohë për t’u menduar. Për të duket se gjithçka ka qenë shumë e qartë: kishte marrë përsipër të niste një betejë ligjore që dëshiron t’i shkojë deri në fund.
Vendimi
Kolegji, pasi ka dëgjuar palët e paraqitura personalisht në Gjykatë dhe pasi nuk është arritur mes tyre pajtimi, ka konstatuar se në Gjykatën e Lartë janë të regjistruara dy çështje në të njëjtën datë, 18.11.2009. Çështja numër 4, me palë të dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj kundër Fatmir Mediut për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia, si dhe çështja numër 5, me palë të dëmtuar akuzues Alketa Hazizaj kundër Fatmir Mediut për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia. Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Lartë: “Duke qenë se këto çështje qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë, përpara së njëjtës gjykatë, si dhe për faktin se të dyja këto çështje janë kundër të njëjtit person për të njëjtin fakt penal të pretenduar dhe meqenëse për shkaqet e mësipërme nuk dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes se tyre, në respektim të Nenit 92/1/a të Kodit të Procedurës Penale, kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi të bashkojë çështjet e mësipërme. Aktet e çështjes me numër 4 dërgohen për t’u bashkuar me aktet e çështjes numër 5, dt.18.11.2009. Po dje, në Gjykatën e Lartë është zhvilluar seanca e parë e çështjes numër 5, me palë të dëmtuar akuzues Alekta Hazizaj kundër Fatmir Mediut për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia. Pasi është vënë në dijeni me vendimin e mësipërm mbi bashkimin e çështjeve, kolegji penal i Gjykatës së Lartë, i çështjes numër 5, ka vendosur të njihet paraprakisht me aktet e dosjes numër 4, pasi të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme formale nga ana e sekretarisë gjyqësore për bashkimin e çështjeve të mësipërme.

Padia e fëmijës
Mes padive të banorëve të Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dy ditë më parë është shtuar edhe padia e një 10-vjeçari. I mituri R. Durdaj në këtë proces civil do të përfaqësohet nga i ati i tij, Rigon Durdaj. Djali kërkon nga Drejtësia që të ndëshkojë ish-ministrin për shkak të plagëve që ka marrë ditën e tragjedisë më 14 mars të vitit 2088. “Më datë 15.03.2008, rreth orës 12:00, në fshatin Gërdec të bashkisë Vorë, dhe pikërisht në një fabrikë që çmontonte municionet luftarake, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 viktima, si dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe kërkuesi, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe është trajtuar në QSUT-në ‘Nënë Tereza’. Hetimi i kësaj ngjarjeje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhura në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe duke dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Përveç viktimave dhe plagosjeve, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një sërë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë”, - shkruhet në padinë e 11-vjeçarit.

Padia e gruas
Sipas padisë që mban emrin e Alketa Hazizajt thuhet se mbështetur në dokumente, evidentohen mjaft indicie dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Indiciet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së kryer nga ish-ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, janë renditur në padinë e plotë të Hazizajt që është botuar nga gazeta “Albania”.

Pasojat që solli tragjedia e Gërdecit

27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur;

109 persona të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur;

67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur;

61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur;

5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale, të përshkruar në aneksin nr.5, bashkëlidhur. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›