Asambleja e PS, Rama: Do ngrihet Komision i Posaçëm për zgjedhjen e kandidatëve për krerët e degëve

Përzgjedhja e kandidaturave për 61 kryetarët e rinj të degëve të PS do të bëhet përmes një komisioni të Posaçëm që do të ngrihet me këtë qëllim. Kryeministri Edi Rama tha gjatë mbledhjes së Asamblesë se në garë mund të marrin pjesë persona edhe nga jashtë forumit të Asamblesë Kombëtare dhe nuk përjashtohen as vetë anëtarët e kësaj strukture për të garuar.
“Kongresi I hapi rrugë një procesi të ri dhe shumë të domosdoshëm për PS për të hyrë në zgjedhjet e reja për drejtuesit e partisë, fillimisht në 61 bashkitë e vendit. Ky është një proces që i jep mundësi të gjithë anëtarësisë dhe simpatizantëve dhe mbështetësve që të përfshihen në zgjedhjet e drejtuesve të partisë. Të propozojnë kandidaturë edhe pa qenë pjesë e Asamblesë së PS-së, qoftë dhe duke ofruar kandidaturën vetjake për të drejtuar Partinë Socialiste. Duke avancuar kandidaturën vetjake në funksion të ambicies për ta drejtuar PS. Nga ana tjetër procesi do të garantojë që të gjithë kandidatët për drejtimin e PS të kalojnë përmes një rruge e cila faktikisht përveç se garanton hapjen e partisë mundëson vlerësimin e çdo kandidature, garanton konkurrencën dhe në fund siguron meritën. Për këtë arsye bazuar edhe në vendimin e marrë kryesia ka ngritur një komision të posaçëm zgjedhor për këtë proces i cili do të fillojë menjëherë dhe do të mbyllet në fund të qershorit. Komisioni i këtyre zgjedhjeve do të ketë një detyrë të posaçme për të prekur të gjithë territorin me përfaqësuesit e vetë dhe për të shpjeguar procesin”, tha Rama.
/rtsh.al/