E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS, rezolutë për krizën ekonomike

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të miratojë sot një rezolutë për krizën ekonomike në vend. Organi i lartë vendimmarrës brenda kësaj partie do të mblidhet për të diskutuar mbi krizën sociale dhe ekonomike që ka kapur vendin. Nisur nga kjo, pritet që anëtarët e Asamblesë të bëjnë një analizë të thellë të kësaj situate, duke evidentuar dhjetë problemet më të mëdha që hasen e njëkohësisht dhe arsyet e shkaqet që çuan në një krizë të tillë. Më pas, pjesë e axhendës është edhe ngritja e një komisioni për çështjet ekonomike që do të funksionojë brenda selisë rozë. Mbledhja vjen në kuadër të nisjes së protestave të kësaj jave, ku veç kërkesës për hapjen e kutive dhe largimit të Berishës, selia rozë është përqendruar edhe te problemet sociale, si ndihma ekonomike, pagat, pensionet, rritja e çmimit të energjisë, taksat për biznesin e vogël etj. Sipas kupolës rozë, qeveria shqiptare është përgjegjëse për kushtet e vështira ku jetojnë shqiptarët, për arsyen se ka injoruar ekzistencën e krizës që ka kapur në të gjithë botën. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka mohuar se vendi ndodhet në krizë. Kryeministri Sali Berisha ka pranuar vetëm se ka efekte, po për fatin e mirë ekonomia shqiptare ka shënuar rritje. Ndërkohë, në lidhje me buxhetin e 2010-s, socialistët kanë shprehur rezervat e tyre. Në mungesë të prezencës në Parlament, PS-ja është shprehur se të ardhurat buxhetore gjatë 10 muajve të këtij viti rezultojnë me një mosrealizim prej 20-24 miliardë lekësh ndaj buxhetit fillestar. Ndërsa buxheti i vitit të ardhshëm, i miratuar në parim, e fillon ecurinë e tij me një deficitit në të ardhura 15-16 miliardë lekë më pak, duke u krahasuar jo me buxhetin e rishikuar 326 miliardë lekë, por me atë në fund të vitit prej 310 miliardë lekësh. Socialistët thonë se mosmbajtja parasysh e realitetit dhe mosreflektimi i sugjerimeve të FMN-së dhe atyre të biznesit në hartimin e miratimin e buxhetit të ashtuquajtur historik e ambicioz, përbën një shqetësim jo vetëm për opozitën, por për mbarë opinionin publik. PS-ja ka denoncuar mazhorancën për manipulime të shifrave të rritjes ekonomike apo PBB, sepse ky veprim manipulon, pra paraqet në mënyrë të shtrembër gjithë treguesit e tjerë të lidhur me të, duke shtrembëruar ekuilibrat makroekonomikë. Në komunikimet e herëpashershme, PS-ja ka vënë në dukje se të ardhurat në buxhet po bien muaj për muaj brenda tyre dhe e njëjta gjë po ndodh edhe me të ardhurat tatimore. Sipas tyre, rënia ka përfshirë edhe të ardhurat nga TVSH-ja, tatimfitimi, akciza, në 7 muaj me 10 mld lekë të reja. Të ardhurat nga dërgesat e emigrantëve kanë rënë deri më 40%, kreditë janë ulur dhe kreditë e këqija janë shtuar.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›