E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli bashkiak në "ngërç", vijon me dy kryetarë

Vijon ngërçi në Këshillin Bashkiak të Vlorës pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për rikthimin në detyrë dhe njohjen e Arben Sinanit si kryekëshilltar. Pavarësisht vendimit të togave të zeza, Kujtim Sulçe, i emëruari nga këshilltarët e majtë në mbledhjen e datës 24 shtator të këtij viti, ka deklaruar dje se vazhdon të jetë kryetar i këshillit bashkiak. Vendimin e gjyqtarit Erarbër Madhi ai e ka konsideruar politik dhe të përgatitur në zyrat e PDSH-së dhe kryetarit Sali Berisha, të cilin e akuzoi se "çdo ditë po shfaqet si prokuror, gjyqtar, perandor i Shqipërisë". Sipas Sulçes, PSSH-ja do të vijojë me protesta për të ndaluar veprimet abuzive të Kryeministrit të vendit. Më tej, në deklaratë Sulçe ka akuzuar prefektin e Vlorës, Hasan Halilin, si të politizuar. Sipas tij, prefekti nuk ka mbrojtur paanshmërinë dhe ka marrë vendim politik kur depozitoi padinë në gjykatë. Më tej Sulçe theksoi se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, që riktheu në detyrë Arben Sinanin, do të apelohet dhe do të shkojë në të gjitha hallkat e gjykimit, duke vijuar se këshilltarët e PS-së do të ndërmarrin të tjera nisma për të mbrojtur këshillin bashkiak dhe ecurinë e tij legjitime. Nga ana tjetër, po dje Arben Sinanaj, që nga gjykata njihet si kryetari legjitim i Këshillit Bashkiak të Vlorës, ka theksuar se vendimi ktheu drejtësinë ndaj qëndrimit jo legjitim dhe emocional të këshilltarëve të majtë të marrë më 24 shtator. "Pas këtij vendimi, puna në Këshillin Bashkiak të Vlorës do të vijojë normalisht dhe se nuk duhet të ketë asnjë ngërç apo bojkot, pasi nëse socialistët veprojnë me forma të tilla tregojnë se nuk janë aq socialë sa kanë siglën", theksoi për "Shqip" Arben Sinanaj. Ndërkohë, ai vijoi duke theksuar se Vlora është në një gjendje të mjerueshme dhe ka nevojë urgjente për investime. Sinani theksoi se nuk i trembet asnjë ankimimi dhe se në radhë të parë do t‘i shërbejë me punën e tij qytetit të Vlorës dhe nuk do të vendosë në të ego apo inate personale.

M.Marsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›