E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Demokracia jofunksionale s‘është biletë për në BE"

Këtë radhë nuk ka qenë një paralajmërim, por "kërcënim" i fortë dhe një shprehje e qartë zhgënjimi ndaj autoriteteve dhe politikës shqiptare. Padyshim që bëhet fjalë për komunitetin ndërkombëtar, i cili dje ka deklaruar se opinioni i Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat nuk do të jetë pozitiv nëse nuk zhbllokohet kriza politike. Kjo do të thotë që do të vonohet edhe më shumë integrimi i Shqipërisë në BE. Zërin e komunitetit ndërkombëtar e kanë përcjellë dje dy nga diplomatët më të rëndësishëm të akredituar në kryeqytetin shqiptar, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Van den Dool, të cilët kanë ngritur shqetësimin për mungesën e dialogut dhe për korrupsionit, duke shtuar edhe zhgënjimin për injorimin e apelit të përsëritur të ndërkombëtarëve.

Bosch

Kreu i Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Robert Bosch, theksoi fare hapur mungesën e sinjalit për reagim nga qeveria dhe opozita pas apelit të ndërkombëtarëve.

"Deri tani nuk shohim shenjë kuptimplotë se apeli ynë për ulje tonesh dhe afrim të jetë dëgjuar", deklaroi ambasadori i OSBE-së.

Diplomati holandez, i njohur për metaforat e tij, ka përdorur një simbol nga ata që në Perëndimin e civilizuar quhen "Bon Ton", thënë shqip "sjelljet e mira". Ambasadori Bosch, duke i ftuar Ramën dhe Berishën të kërcejnë tangon, ka shkuar më tej duke i kujtuar dhe rregullat bazë të vallëzimit që si thelb të tij ka dialogun dhe shikimin sy ndër sy. "Duhen dy për të kërcyer tangon dhe janë tre hapat kryesore që duhen ndjekur si nga opozita, ashtu dhe nga mazhoranca. Hapi i parë duhet të komunikoni rregullisht me partnerin, përndryshe mund t‘i shkelësh këmbën. Pra është koha për dialog më të madh. Hapi i dytë, duhet të dëgjosh me dashamirësi dhe të vësh re të metat e partnerit, ka ardhur koha e kompromisit. Hapi i tretë, që të vazhdosh të kërcesh gjatë duhet të flitet me njëri-tjetrin, madje dhe duke pëshpëritur në takime informale. Është koha për të folur me ton më të qetë e me gjuhë më të zbutur. Kompromisi duhet të vijë nga të dyja palët. Ku ka dëshira ka një rrugëzgjidhje. Tani është momenti që palët të bëjnë një hap drejt njëra-tjetrës", ka deklaruar kreu i OSBE-së në Tiranë.

Van den Dool

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Henk Van den Dool, është përqendruar te korrupsioni, duke e risjellë në fokusin e zhvillimeve të ditës, për të cilin ka thënë që ekziston edhe në nivelet e larta të politikës. "Korrupsioni është një problem serioz, endemik në Shqipëri, që shkon deri në nivele të larta politike. Situata nuk është përmirësuar gjatë viteve të fundit. Kjo është shumë serioze dhe e keqe për vendin dhe perspektivën europiane të tij. Situatën aktuale në Shqipëri e shohim shumë problematike", deklaroi Van den Dool, i cili ka marrë sërish çështjen e dialogut, duke e kushtëzuar me integrimin. "Një demokraci që nuk funksionon nuk është një biletë për Bashkimin Europian. BE po përgatit një opinion nëse Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit dhe ju siguroj se ky opinion s‘ka për të qenë pozitiv, nëse situata politike mbetet kështu siç është. Kjo është e keqe për çdo shqiptar, qoftë socialist a demokrat. Por duket se koha po mbaron dhe kjo do të thotë se kundërshtarët kryesorë të ulen në një tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin. Në fillim PD dhe PS të përcaktojë axhendën se për çfarë duhet të flasin, pa asnjë sugjerimin tonë. Presim që zgjidhja të mos vonojë. S‘ka rëndësi se kush e hedh hapin. Të dyja palët kanë manovruar në mënyrë të tillë sa e kanë veten në pozitë të sikletshme që e bën të vështirë daljen. Por s‘është e thënë që të ulen Kryeministri dhe kryetari i opozitës. Mund të fillojë me njerëz të besuar të tyre, por të fillojë", tha Henk Van den Dool, ambasador i Holandës në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›