E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja, futbolli shqiptar ne parametra nderkombetar

Dash Frashëri
I plotfuqishëm. I sigurt. I pandalshëm në atë që kërkon të arrijë. Armand Duka, presidenti që qeveris prej dy mandatesh rresht botën e futbollit shqiptar, me miratimin e ndryshimeve në statutin e përshtatur të Federatës Shqiptare të Futbollit, mund të konsiderohet si zot i pakundërshtueshëm me kompetencat e reja që arriti të grumbullojë falë votimit "100 për qind pro" të 62 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së të mbajtur te shtunen(9 qershor) në Hotel "Adriatik" (Durrës), i njohur në ambientin sportiv si rezidenca e përhershme e Kombëtares shqiptare. Një Asamble "e ftohtë" në muajin qershor, me pak diskutime, me ndonjë ngacmim dekorativ dhe shumë ndryshe nga ajo e "nxehta" e fundshkurtit të vitit të kaluar (27 shkurt 2006), kur në hotelin "Tirana" të kryeqytetit jo vetëm që iu nënshtrua një kontrolli për bombë nga policia, por u votua edhe për njeriun që do të drejtonte për katër vitet e ardhshme një nga federatat më të varfra të kontinentit. Asamblenë e përshëndeti zëvendëspresidenti i parë i FIFA-s, Senes Erzik, presidenti i KOKSH-it, Hysen Domi, presidenti i Nderit i FSHF-së, Mico Papadhopulli. "Zoti Erzik, ju jeni një njeri i mrekullueshëm, daje", - deklaroi ish-presidenti i FSHF-së, duke sjellë humor në sallë. Drejtori i Zyrës Juridike të UEFA-s, Marsel Benz, dha shpjegimet e duhura për ndryshimet në statut në variantin origjinal dhe me atë në shqip. "Sulm diplomatik qeverisë" Pas një minute heshtjeje në kujtim të figurave sportive të ndara nga jeta (Besim Borici, Agim Murati, Bahri Ishka, Arben Minga) dhe ekzekutimit të himnit kombëtar, presidenti Duka mbajti raportin mbi veprimtarinë vjetore të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. "Nuk kam dëshirën as më të vogël t'ju kujtoj sulmet e shëmtuara dhe metodat e errëta që segmente të caktuara përdorën kundër Asamblesë paraardhëse, kundër të gjithëve ne që jemi këtu, kundër futbollit shqiptar. Ato sulme, sic ju jeni informuar, kanë vazhduar gjatë gjithë vitit me arsyen e vetme për të penguar punën tonë", - nisi fjalën e tij presidenti i FSHF-së, duke mos përmendur në asnjë rast emrin e ish-ministrit të MTKRS-së, Bujar Leskaj. "Por deri tani ata që përfaqësojnë këto sulme absurde dhe ata që fshihen si hije pas tyre nuk kanë mundur të prekin misionin e shenjtë të futbollit në Shqipëri", - shtoi Duka, duke pasur si objektiv indirekt kreun e qeverisë shqiptare, Berisha. "Faleminderit UEFA dhe FIFA!" "Gjithcka është arritur falë punës suaj dhe klubeve që ju përfaqësoni, Komitetit Ekzekutiv dhe të gjithë hallkave plotësuese pa harruar në asnjë moment mbështetjen e vyer të FIFA-s dhe UEFA-s", - falënderoi bosi i futbollit kuqezi institucionet e larta të futbollit europian dhe botëror, që i siguruan Dukës një mbrojtje të fuqishme dhe shoqatës së futbollit një pavarësi institucionale ndaj synimit të vazhdueshëm të qeverisë shqiptare për të vënë në varësi institucionin "rebel". Buzëqeshja e zëvendëspresidentit të parë të FIFA-s, turkut Senez Erzik, drejtorit juridik të UEFA-s, zviceranit Marsel Benz, ishin komplimenti më i bukur që mund të merrte Duka dhe 11 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. "Patëm një takim të frytshëm me ministrin Pango. Ju duhet të jeni të sigurt se FIFA dhe UEFA do t'iu mbështesë pa rezerva. Qëndroni gjithmonë optimistë!" – tha Erzik, i cili të premten në mbrëmje pati dhe një takim me ministrin e Sporteve, Ylli Pango, takim pune që ai e vlerësoi si më të mirin që kishte bërë ndonjëherë në Shqipëri me përfaqësues të qeverisë shqiptare. "Rrini të qetë! Ndryshimet në statutin e federatës suaj janë pjesë e të njëjtave ndryshime të 206 federatave të tjera, anëtare të FIFA-s", - argumentoi Erzik. "Dhunën ta mundim me Fair-Play" "Dhuna në futbollin tonë gjatë vitit që kaloi ka qenë prezent në të dy planet. Në fushë midis protagonistëve si futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh dhe në shkallët e stadiumeve, midis tifozëve, njerëzve të veshur me pushtet qendror dhe vendor", - tha Duka, i cili pohoi se në jo pak raste dhuna ka arritur kulmet e saj duke lënë një shije të hidhur për ata që e duan futbollin në Shqipëri. "Jam i sigurt se të gjithë e kanë dënuar dhunën e ushtruar në Burrel kundër Sulejman Memës apo dhe në rastin e dhunimit të gjyqtarit në Berat nga përfaqësuesit e Tomorit",- solli disa shembuj presidenti Duka, duke mos harruar të përmendë incidentet e shëmtuara në Berat, Ersekë, Peqin, Vlorë e Gjirokastër. "Unë propozoj që Asambleja të dalë me një deklaratë të përbashkët ku të shprehim qëndrimin kundër dhunës në futboll. Ne duhet të bashkohemi rreth Fair-Play kundër dhunës", - theksoi presidenti i FSHF-së, duke vënë në dukje faktin që edhe pse masat disiplinore kanë qenë të shumta, ato nuk mundën të shmangnin plotësisht këtë dukuri antifutboll. Masat kundër dhunës ishin edhe në fokusin e drejtuesit të lartë të FIFA-s. "Edhe federata ime e futbollit, ajo turke, po kalon të njëjtin proces". Vetëm kartonët jeshilë Edhe pse në tavolinë kishin të tre kartonët për të votuar, atë jeshil për "pro", të bardhin për "abstenim" dhe të kuqin për "kundër", u pa qartë se i vetmi karton që u përdor ishte ai jeshil me mbishkrimin "pro". U miratua pa asnjë diskutim raporti financiar për periudhën nga data 1 gusht 2005-31 korrik 2006, miratimi i buxhetit i vitit pasardhës. Kush i kuptonte nga asamblistët shifrat e paraqitura nga kompania audituese "Deloitte & Touche". Kështu më mirë "pro" dhe mbarimi shpejt i Asamblesë (drejt drekës së orës 12:30) se sa futja në labirintin e panevojshëm të shifrave të konsumuara financiarisht. Pango, karrigia bosh Kriza e MTKRS-së dhe FSHF-së dhe dhuna ishte në fokusin e diskutimit të përfaqësuesit të Tiranës, juristit Riza Icka. "Pavarësisht se kriza midis shtetit dhe FSHF-së përfaqësohet nga një ministër, shihet qartë se fshihet Ekzekutivi. Kjo shihet dhe nga mungesa e një përfaqësuesi të ministrisë, ndoshta jo titullari, por dikush duhet të merrte pjesë", - tha ai, ndërkohë që organizatorët e Asamblesë i kishin rezervuar vendet si për ministrin Ylli Pango ashtu dhe për drejtorin e Sporteve, Arjan Konomi. Madje, në rreshtin e parë të tavolinave ishin edhe emrat e tyre pranë dokumenteve të Asamblesë. "Kjo tregon se kriza është në nivele të larta dhe jo aq sa duket", - tha Icka. "VIP-at, nxitës të dhunës" Për përfaqësuesin e Bylisit, Ibrahim Malaj, në jo pak klube presidentët nuk janë specialistë nga ana teknike e futbollit dhe pak e njohin ligjshmërinë sportive. "Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të mos jenë të pranishëm në ndeshjet e futbollit, por duhet të shkojnë në mbledhjet e klubeve, të takohen me drejtuesit e pushtetit vendor, të cilët në shumë raste janë përgjegjës të nxitjes së dhunës", - tha Malaj. "Shes vendin e parë" E padëgjuar ndonjëherë në futboll, por ja që propozohet nga një sekretar klubi në Asamblenë e FSHF-së. Ideja i përket Besnik Dylit të Velecikut. "Nëse ekipi im do të dalë në Kategorinë e Parë, ne përsëri nuk do të lejohemi të luajmë, pasi nuk plotësojmë kushtet e infrastrukturës. Atëherë, nëse dalim përse mos ia shesim vendin e parë klubit që plotëson kushtet e stadiumit? Kështu fitojmë të dyja palët", - tha zyrtari i klubit modest. "Ju lutemi, ndihmë!" "Dua të përgëzoj ekipin Kombëtar për dy fitoret me Luksemburgun. Fitore të bukura që na bëjnë optimistë për vendin e katërt. Kam një lutje për përfaqësuesin Erzik. Shumë trajnerë shqiptarë kanë marrë licensën profesionale "B", ku mund të punojnë në të gjithë Europën, por na ndihmoni të marrim licencën "A", do t'i shërbente shumë futbollit", - tha në fjalën e tij ish-presidenti karizmatik i FSHF-së, Mico Papadhopulli. "Logo e re, e vjetra nuk bën" Emblema e Federatës së Futbollit të Shqipërisë apo logoja e saj sic njihet do të ndryshojë pasi ajo aktuale nuk është më e denjë për të përfaqësuar imazhin e futbollit shqiptar. "Është një logo e krijuar shumë vite më parë dhe kompozimi i saj ka plotësuar misionin e saj", - tha në Arben Bici, shefi i licensimeve në FSHF. Për këtë, Komiteti Ekzekutiv do të ngrejë një grup pune ku do të organizohet një konkurs për krijimin e emblemës së re. Logoja e re do të miratohet në Asamblenë e ardhshme. Ndryshimet në statut FSHF është organi i vetëm kompetent për të organizuar futboll në territorin shqiptar. FSHF është e detyruar të respektojë statutet, rregulloret, direktivat dhe vendimet e FIFA-s dhe UEFA-s Cdo ligë ose grup tjetër klubesh në nivelin kombëtar mund të lejohen me pranim nga FSHF-ja dhe do të varen prej saj. Të njohë autoritetin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (Cas) në Lozanë të Zvicrës. FSHF emëron një kompani audituese të pavarur që ka eksperiencën dhe kualifikimin e nevojshëm për auditimin e llogarive financiare. FSHF mund të thërrasë një Asamble të Përgjithshme të zakonshme dhe të jashtëzakonshme. Vetëm një mbledhje e thirrur sipas rregullave ka autoritetin për të marrë vendime. Organet gjykuese të disiplinës së FSHF-së janë: Komisioni Disiplinor, ai i Apelit dhe inspektorët e Disiplinës. Sekretari i Përgjithshëm punëson dhe pushon nga detyra anëtarët e stafit të sekretariatit. Propozon për emërimin dhe shkarkimin e shefave të sektorëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›