Asambleja miraton ndryshimin e sistemit zgjedhor
Mbledhja e djeshme është shoqëruar me diskutime në lidhje me transformimin e PS-së
Servet Pëllumbi dhe Maqo Lakrori debatojnë për ndryshimin e sistemin zgjedhor
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka miratuar dje me votën kundër të Maqo Lakrorit, propozimin e kryesisë për ndryshimin e sistemit zgjedhor nga ai mazhoritaro-proporcional, në një sistem proporcional-rajonal me zona shumemërore. Shqyrtimi i kësaj çështjeje është bërë objekt për një sërë diskutimesh të gjata dje në Asamble. Menjëherë pasi Sekretari për Çështjet Elektorale në Partinë Socialiste, Kastriot Islami ka bërë një përmbledhje të të gjithë punës së kryer deri tani për diskutimin dhe formulimin e propozimeve konkrete përsa i përket sistemit zgjedhor, fjalën e ka marrë anëtari i asamblesë, Maqo Lakrori, i cili duket se ka qenë i vetmi që ka mbështetur një sistem të pastër mazhoritar. Burime pranë kësaj mbledhjeje bënë të ditur për gazetën se Lakrori ka mbrojtur sistemin mazhoritar, me argumentin se ai favorizon partitë e mëdha. Kundërshtimi i tij, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të një pjese të mirë të anëtarëve të Asamblesë. Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nisur edhe nga studimet që ka bërë Instituti për Studimet Sociologjike, ka vënë në dukje se tendenca në të gjitha vendet e zhvilluara sot në Evropë po shkon drejt sistemeve proporcional. Sipas Pëllumbit një sistem i tillë jo vetëm që krijon kushtet për një garë të ndershme, por arrin që të bëjë një testim të forcës reale të partive politike. Në këtë debat ka ndërhyrë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili duke mbrojtur sistemin e përzgjedhur, ka theksuar se sistemi mazhoritar është pjella e të gjitha të këqijave në politikën shqiptare. "Të mbrosh sistemin mazhoritar në kushtet kur praktika shqiptare ka treguar se ai ka dështuar në vazhdimësi, është si të mos kesh kuptuar asgjë. Ka qenë pikërisht ky sistem që të ka penalizuar ty Maqo në zgjedhjet e shkuara, sepse përballë teje u vu një njeri që nuk kishte asnjë lidhje me politikën",- mësohet të jetë shprehur Rama. Ndërkohë që edhe fjala e Ramës e mbajtur në fillim të takimit, është bërë objekt i një debati tjetër mes anëtarëve të Asamblesë. Sipas të njëjtave burime mësohet se ka qenë ish-kryetari i Kuvendit, Pëllumbi, ai që ka kundërshtuar faktin që shpeshherë kohët e fundit, në deklaratat publike të liderëve socialistë është deklaruar transformimi PS-së në një forcë përtej të majtës. "Nuk duhet të fshehim në deklaratat tona, se ne jemi një forcë e majtë. Biles, përkundrazi, mendoj se ne duhet ta theksojmë se jemi një forcë që mbështet shtresat sociale të vendit, pasi i përkasim realisht spektrit të majtë",- mësohet të ketë theksuar Pëllumbi. Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar vetë kryesocialisti Edi Rama, i cili ka theksuar se deklaratat e tij për transformimin e PS-së kanë të bëjnë me faktin e krijimit të një partie të majtë evropiane. Të mbrosh interesat e shtresave të varfra, nuk do të thotë që ne të jemi kundra të pasurve apo biznesmenëve",- ka qenë kundërpërgjigja e Ramës. Diskutime ka pasur edhe për çështjen e organizimit të Partisë Socialiste, ku duket se ish-sekretari organizativ Bashkim Fino ka kërkuar një organizim më të strukturuar në shtrirje vertikale. Në përfundim, në mënyrë unanime Asambleja ka votuar propozimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, si dhe raportet e paraqitura nga Sekretariati Ekzekutiv në lidhje me Dialogun me Shqipërinë dhe zgjedhjet në parti.