E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financime shtetërore për myslimanët dhe ortodoksët

 

****

Qeveria shtyn marrëveshjet për marrëdhëniet me tre komunitetet fetare. Marrëveshja e vë shtetin në rolin e një lloji "polici fetar" të Komunitetit Mysliman

 

 

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka shtyrë tre marrëveshje të paqarta, që synojnë të rregullojnë marrëdhëniet mes shtetit, nga njëra anë, dhe komuniteteve fetare: myslimanëve, bektashinjve dhe ortodoksëve nga ana tjetër. Marrëveshjet e hartuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mbartin plot paragrafë të vagullta dhe të pakuptimta, paragrafë që janë kritikuar edhe nga Zyra e Kodifikimeve në Ministrinë e Drejtësisë. Marrëveshjet e miratuara i përkasin Komunitetit Mysliman, Bektashinjve, Ortodoksëve, por në asnjë rresht të këtij drafti nuk përmenden Katolikët.

Ndalohen shkollat jo-hanefi

Marrëveshja me Komunitetin Mysliman sanksionon qartë se në këtë bashkësi, nuk do të mund të marrin pjesë myslimanët që nuk i përkasin Shkollës Juridike Hanefi. Neni 2, thotë se Komuniteti është organizim i personave që shfaqin praktika fetare të përcaktuara në legjislacionin Islam, Shkollën Juridike Hanefi dhe statutin e KM. Më poshtë, thuhet se qeveria ka për detyrë të njohë dhe garantojë deklarimet e Komunitetit Mysliman për prirje ekstremiste apo shfaqje ashpërsie në mjediset fetare. Ndalohet gjithashtu që në shkollat fetare apo në xhami të ketë mësime që, sipas marrëveshjes, "bien ndesh me interesat kombëtare", si dhe "nxisin urrejtjen fetare, racizmin e mungesën e tolerancës". Marrëveshja thotë se pranimi i një individi nga ana e shtetit si mysliman bëhet vetëm përmes një sistemi anëtarësimi. Një paragraf gjithashtu i paqartë dhe i kritikuar nga Ministria e Drejtësisë, flet për rastet kur Komuniteti Mysliman denoncon ekstremistë brenda vetes ose "devijime fetare". Ndonëse nuk thuhet qartë, nënkuptohet që KM do të ketë të drejtë të kërkojë ndihmën e shtetit, për të shtypur rryma fetare që nuk i konsideron në përputhje me shkollën Hanefi.

Ndonëse në Shqipëri pranohet gjerësisht se shumica e besimtarëve i përkasin shkollës Hanefi, prania e interpretimeve të tjera të fesë është toleruar gjithkund. Mendimi fetar që nuk është në përputhje me shkollën Hanefi është skualifikuar zyrtarisht nga Statuti i Komunitetit Mysliman. Ngjan se marrëveshja e miratuar dje, vë baza edhe për një "përjashtim ligjor" nga jeta fetare komunitare e atyre që mendojnë ndryshe. Marrëveshja e vë shtetin rolin e një lloji "polici fetar" të Komunitetit Mysliman.

Financimet nga buxheti

Marrëveshja parashikon që qeveria të japë kontribut financiar ose material për komunitetet fetare. Kjo është një temë e debatuar prej kohësh. Shpesh janë hedhur akuza se në mungesë të mjeteve monetare, komunitetet fetare apo OJQ të ndryshme kanë marrë fonde nga vende të tjera të huaja dhe bashkë me fondet, edhe ide fetare "të dëmshme", "ekstremiste" etj. Komuniteteve fetare nuk u hiqet e drejta për të marrë donacione nga jashtë, edhe pas kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja nuk bën të qartë se çfarë do të thotë "interes kombëtar" dhe as se çfarë përbën apo nuk përbën "nxitje urrejtjeje apo mungesë tolerance". Drejtoria e kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë i ka bërë të qartë sakaq se pjesët më domethënëse të marrëveshjes, janë krejtësisht të paqarta nga pikëpamja juridike. Marrëveshja thotë gjithashtu se kurrikulat e shkollave fetare do të hartohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sipas marrëveshjes, kurrikulat duhet t'i "kundërvihen racizmit dhe fanatizmit në arsimin e të rinjve".

Respektim ligjor i mjekrës dhe shamisë

Marrëveshja parashikon respektimin e "sjelljes si mysliman jashtë objekteve të kultit". Nuk është shumë e qartë, nëse kjo gjë do të thotë nëse do të respektohet mbajta e mjekrës fetare apo e shamive të kokës në institucionet publike.

Eksperienca ndërkombëtare

Marrëveshjet mes shtetit dhe fesë janë fenomen i vendeve që kanë një fe kombëtare. SHBA-të p.sh., nuk kanë marrëveshje të tilla, ndërkohë që Italia ka nënshkruar një marrëveshje me Kishën Katolike në kohën e Musolinit. Marrëveshje të tilla janë disi të pakuptimta në kohët e sotme, ku numri i feve ose komuniteteve fetare që prezantohen si religjione më vete është shumë i madh, e për pasojë, të tentosh të vendosësh marrëdhënie preferenciale me një pjesë të komuniteteve, ngjan si përjashtim i komuniteteve të tjera.

Për pronën

Neni 22/ E drejta e pronës

Për Kishën Ortodokse

1. Shteti i njeh Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme.

2. Shteti do t'i kthejë pronat Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit dhe manastiret e shenjtë, sepse për shkak të karakterit të veçantë kishtar dhe vlerave të sipërpërmendura, janë të pakompensueshme.

3. Shteti do të kthejë të gjitha pronat, pasuritë, objektet dhe sendet e kultit, arkivat etj., të konfiskuara nga regjimi komunist dhe do të asistojë në ri-regjistrimin e tyre në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive.

Për Kryegjyshatën Bektashiane

1. Shteti i njeh Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme.

2. Shteti trajton me përparësi kërkesat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta, si dhe për kryerjen e legalizimeve dhe dhënien e lejeve të shfrytëzimit nëse është rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Shteti shqiptar merr në mbrojtje pasurinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Për Komunitetin Mysliman

1. Shteti i njeh Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme, me të gjithë elementët përbërës të saj. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rinjihet pas kësaj marrëveshjeje si trashëgimtar i pronave përkatëse të tij. 

2. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›