E Shtunë, 31 Tetor 2026

Welkomme to Gërdecistan

 

"Money for nothing?" (Para për asgjë?"). Më shumë se kaq. Mashtrim, duke marrë në qafë, jo vetëm vendasit, por edhe të huajt. Kështu reagoi një artist dje, pas lajmit se qeveria shqiptare ka bërë reklamë në CNN për 300 mijë euro. Njeriu i artit, që ka një studio reklamash dhe dizajni, i tha "Spiunit" se reklama e ndarë në triptik, nuk është ajo që i duhet vendit dhe se ai kishte gati një version tjetër që tregon Shqipërinë e vërtetë, atë që jetohet dhe ajo atë që bëhet karrem për të huajt. "T'i mund të arrish t'i gënjesh një herë turistët e huaj, por ata sapo të shohin se ajo nuk është Shqipëria e reklamës së CNN-it, do të ikin nga sytë këmbët",- tha artisti.

Ai propozoi reklamën e re të titulluar "Welkomme to Gërdecistan", bazuar në përjetimet personale rreth orës 12.00 të ditës së diel, 15 Mars 2008. Personazhe të reklamës 1-minutëshe janë një çift i ri dhe fëmija i tyre trevjeçar, që nisen për fundjavë në bregdetin e Golemit. Pas një ore tollovie në trafikun e qendrës dhe të kthesës së Kamzës, me shumë mundim hyjnë në superstradën Tiranë-Durrës. Gruaja e re ëndërron të takojë shoqen në breg të detit dhe bashkë të llomotitin duke ecur me këmbët në ujët e ftohtë të Adriatikut. Burri të pijë një kafe dhe të thithë deri në fund cigaren që e ka të ndaluar ta pijë në makinë. Vajza e vogël mezi pret të lëkundet në kolovajzën plastike të lokalit dhe të hajë një qese patatina. Sapo marrin kthesën në të përpjetë, një kërpudhë gjigante ngrihet në të djathtë, pas kodrave të Gërdecit dhe... familja përfundon në shtretërit e QSUT-së, ndërsa makina e sapoblerë në varreza.

"Unë e bëj dhe e jap falas në të gjitha stacionet televizive të botës, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë",- tha artisti i zemëruar për 300 mijë eurot dhe njerëzit e lumtur që jepen në reklamën e qeverisë.

Kompensimi i Vorës

"Spiunin" nuk po e lënë rehat lajmet nga Gërdeci. Një ditë më parë u qanë biznesmenët që janë lënë jashtë listës së zhdëmtimeve prej qeverisë, dje u ankuan sërish banorët që i kishin shtëpitë afër Gërdecit fatkeq. Njëri prej tyre ka një shtëpi në Vorë dhe vala goditëse e shpërthimit, fatmirësisht nuk i solli dëme në njerëz, por shtëpinë ama ia shkalafiti. Dhe ai i shkreti u nis te zyra e regjistrimit të banorëve të dëmtuar për të përfituar ndonjë kompensim dëmi. Në zyrën përkatëse në Bashkinë e Vorës kishte vetëm punonjëse gra, ndërsa shefi, ishte burrë. Pas disa minutave pritjeje, njëra prej nëpunëseve ia vari një çikë dhe e pyeti se si e kishte emrin. Ajo vijoi të mbushte një letër. "Po prit,- i tha banori i dëmtuar,- se unë pronën nuk e kam të regjistruar në emrin tim, por në emrin e djalit".

Punonjësja e nervozuar nga ndërprerja e procedurës rutinë ia ktheu me zemërim: "Nuk ka rëndësi more zotëri më jep emrin tënd, dëmin që pretendon, dhe ne të japim një numër të ri llogarie që t'i atje të tërheqësh paratë, se ne nuk kemi kesh këtu".

Banori i dëmtuar, kishte qëlluar nga ai 80 për qindëshi e atyre që i paguajnë të gjitha taksat e vëna nga Bashkia e Vorës, të cilat në vlerë leku janë më të mëdha se edhe në Tiranë:

-Po jo moj zonjë, si u jepkan këto para kështu, pastaj unë e kam një llogari të hapur në një bankë, pse duhet të hap një të re këtu në Vorë?

Më në fund, shefi i zyrës mbaroi punët që kishte në dorë dhe iu kthye qytetarit, duke e marrë në mbrojtje banorin: -Mirë e ka zotëria, nuk ka pse të hapë një llogari të re, kur e ka një të tillë. Si e keni emrin, zotëri?

Po, jo, prona nuk është në emrin tim, është në emrin e djalit.

-Si e ka emrin djali? Ë, ëëëë! Ta gëzoni kompensimin!

Morali i fabulës? Doni të bëni ndonjë lek? Shkoni te bashkia Vorë, sajoni një emër, një shtëpi të dëmtuar nga Gërdeci dhe t'i gëzoni paratë... e taksapaguesve shqiptarë, që i jep qeveria për të blerë heshtjen e viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›