E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, të huajt, të barabartë me shqiptarët

 

Projektligji i miratuar në qeveri parashikon dhënien e lejeve të punësimit për emigrantët

 

Përvoja e mijëra shqiptarëve që kanë emigruar në vendet e botës në kërkim të një pune sa më fitimprurëse i ka shërbyer shtetit shqiptar që të përcaktoj rregulla strikte për të gjithë ata të huaj që kërkojnë të punësohen në Shqipëri. Me anë të një nisme të posaçme ligjore, Ministria e Jashtme, ajo e Punës dhe Ministria e Brendshme, në funksion të zbatimit të detyrimeve që lindin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, kanë vendosur që të kontrollojnë të gjitha lëvizjet e të huajve që vizitojnë vendin tonë, qoftë në vizita të shkurtra, por edhe për aktivitete punësimi apo biznesi. Sipas projektligjit "Për të huajt" miratuar dje në Këshillin e Ministrave, shteti shqiptar kërkon të krijojë një trajtim të barabartë midis shtetasve shqiptar dhe atij të huaj lidhur me kushtet e punës, përfshirë dispozitat mbi largimin nga puna dhe shpërblimet, kushtet e higjienës në punë, sigurimin teknik me pjesëmarrje në formimin profesional, kjo e fundit, me kusht që ato të kenë të drejtën e qëndrimit dhe të punësimit më të gjatë se një vit. Nisma ka për qëllim gjithashtu që nëpërmjet dhënies së lejeve të punësimit, të kontrollojë tregun e punës në vend. Pra lejet e punësimit do të lëshohen në atë masë, që do të shihet e nevojshme dhe që nuk prek të drejtën e punësimit të shtetasve shqiptarë. Ndërkohë që në aspektin e dhënies së lejes së punësimit, e cila do të bëhet nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës, qeveria synon të thjeshtëzojë procedurat e dhënies së lejes në nivel qendror dhe lokal. Lejet e punësimit, ashtu si dhe praktika e vendeve të zhvilluara do të jenë të ndara në disa kategori, pra, punëtor stinor, punëtor ndërkufitar etj. Gjithashtu, për herë të parë do të futet dhe termi i lejes së punës së vazhdueshme, e cila do t'u jepet të huajve vetëm pas një leje pune njëvjeçare dhe dy lejeve pune të njëpasnjëshme dyvjeçare. Projektligji parashikon dhe një sërë ndryshimesh përsa i përket sistemit të vizave që Shqipëria lëshon për shtetasit jo shqiptarë që kërkojnë të vizitojnë vendin tonë, qoftë në mënyrë tranziti ashtu edhe për të qenë rezident. Kështu, edhe sistemi i vizave ndahet në disa kategori: vizat transit aeroporti të tipit A; viza transit të tipit B dhe viza transit e qëndrimit afatshkurtër të tipit C. Gjithashtu përcaktohet dhe një tip i veçantë për vizat afatgjata të tipit D. Gjithashtu drafti i ri që pritet të kalojë në Kuvend, përcakton dhe kushtet që duhet të plotësoj një shtetas i huaj për të marrë qoftë vizën ashtu dhe lejen e qëndrimit. Në seksionin e lejeve të qëndrimit, përcaktohen afatet e secilës leje dhe ripërtëritja e saj në rast se i mbaron afati i caktuar. Sipas këtij seksioni, lejet e qëndrimit janë të përkohshme, me të drejtë ripërsëritje dhe të përhershme, të cilat e shndërrojnë të huajin rezident të përhershëm me të drejta pothuajse të plota me shtetasit shqiptarë. Ndërkohë që me këtë nismë, shtetasi i huaj që ka marrë një leje qëndrimi, është i detyruar që të paraqitet në mënyrë sistematike pranë organeve kufitare për të raportuar në lidhje vendbanimin dhe punësimin. Për të gjitha shkeljet e këtyre detyrimeve, të huajt penalizohen me masa të tilla, nga gjobat deri në dëbim nga vendi. Për të gjitha gjobat e vëna, ligji për t'i dhënë një karakter sa më funksional, parashikon që një pjesë e tyre t'i kalojë vetë policit i cili konstaton shkeljen.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›