Komisioni i Sigurisë, amnisti për paratë informale
Deputetët kanë kërkuar marrëveshje politike për amnisti të përgjithshme për paratë informale
"Shqiptarët janë nga të paktët popuj në botë, të cilët vazhdojnë t'i mbajnë paratë nën dyshek"
Diskutimi i projektligjit "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorzmit" në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ka nxjerrë dhe një herë në pah nevojën për ndërmarrjen nga ana e shtetit të një amnistie fiskale për të gjitha ato pasuri monetare të krijuara në vite, origjina e të cilave nuk mund të justifikohet nga zotëruesit e tyre. Pikërisht nevoja për futjen e këtyre pasurive në sistemin e kontrollueshëm bankar, është bërë dje objekt i një debati të gjatë midis deputetëve të këtij komisioni, të cilët me rastin e diskutimit të këtij ligji kërkonin një zgjidhje për këtë çështje, dhe përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave. Ka qenë deputeti ish-socialist, Paulin Sterkaj, ai që ka ngritur dhe një herë këtë diskutim, duke shtruar pyetjen se si kjo drejtori do të mund të fusë këto para informale në sistemin bankar. "Natyrshëm, pas kaq vitesh demokraci shqiptarët vazhdojnë të jenë nga të paktët popuj në botë, të cilët vazhdojnë t'i mbajnë paratë e punës së tyre nën dyshek, apo në qoshe muri, para` e cila mund të jetë me shifra të konsiderueshme. Për shkak të informalitetit që ka karakterizuar në vendin tonë tregun e punës, sot këta qytetarë nuk mund t'i përfshijnë këto para në sistemin bankar, pasi nuk mund t'i justifikojnë në mënyrë ligjore. Prandaj, unë besoj se është koha për një amnisti fiskale në këtë drejtim", - u shpreh Sterkaj. Këtij shqetësimi është përpjekur t'i japë përgjigje kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, Arben Doçi, i cili megjithëse ka vlerësuar si të qenësishëm këtë problem, është shprehur se objekti i këtij ligji nuk synon t'i japë zgjidhje një çështjeje të tillë. Në debat kanë ndërhyrë dhe deputetët e tjerë të Komisionit të Sigurisë, të cilët në parim janë shprehur kategorikë në nevojën e një amnistie të tillë, e cila sipas tyre do t'i jepte frymëmarrje ekonomisë dhe do të fuste në qarkullim një pasuri të konsiderueshme që për shkak të ligjit mbetet informale. Sipas kreut të Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, problemi është ekzistues, por nuk mund të zgjidhet me këtë ligj. Sipas tij, çështja mund të kërkojë angazhimin e institucioneve të tjera kompetente, ashtu si kërkon dhe një konsensus politik. "Problemi qëndron. Natyrisht, kjo kërkon një amnisti fiskale për të gjitha këto kategori pasurish, zotëruesit e të cilëve nuk arrijnë të justifikojnë krijimin e tyre. Por unë mendoj që ta thërrasim dhe një herë tjetër drejtorin dhe pastaj të shihet mundësia edhe e arritjes së një marrëveshjeje politike për këtë çështje",- u shpreh Demi. Ndërkohë që edhe nënkryetari i këtij komisioni, Petro Koçi ka qenë pothuajse në të njëjtën linjë me qëndrimin e Demit. Sipas tij, çështja e informalitetit apo parave të padeklaruara, mund të marrë zgjidhje vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje politike. "Ky ligj nuk mund ta zgjidhë këtë problem i cili faktikisht duhet zgjidhur. Ai mund të jetë objekt i një marrëveshjeje konkrete politike",- u shpreh Koçi. Sipas deputetëve përcaktimi si detyrim në projektligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave" i nevojës së raportimi të burimit të të gjitha transaksioneve me vlerë më të mëdha se 6 milionë, e bën të nevojshme ndërmarrjen e një amnistie fiskale.