Asambleja në dy grupe, kundërshtarët thirrje për të hyrë në Kuvend
Ditën e diel, PS do të mbledhë Asamblenë e saj Kombëtare, por ndryshe nga mbledhjet e fundit që kanë qenë më shumë një fasadë e Ramës, kundërshtarët e tij kanë vendosur të reagojnë. Pritet që deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe dhe mbështetës të tyre në përbërjen e këtij forumi t’i kërkojë asamblesë që të marrë vendim për ndërprerjen e bojkotit parlamentar. Ata do ta kërkojnë këtë, por ndryshe nga sa mendon një pjesë e mbështetësve të Ramës, bojkoti të marrë fund jo për shkak të përmbytjeve, por për shkak të dështimit si metodë politike. Një nga deputetët që do të flasë për këtë gjë në asamble, Kastriot Islami tha dje se “PS e ka pranuar nëpërmjet të gjithë komisioneve të saj, por edhe në Kolegjin Zgjedhor, nga pikëpamja legale rezultatin zgjedhor. Ky rezultat është certifikuar edhe nga ndërkombëtarët dhe e gjitha kjo na shtyn të kërkojmë një rivlerësim edhe pas gjashtë muajve dështime në të gjithë elementet e veprimit të PS-së, për t’u bërë pjesë përfundimisht e demokracisë parlamentare”. Më tej, ai bëri të qartë se nuk do të djegë mandatin e deputetit. Sipas Islamit, mandati është individual dhe deputeti si përfaqësues i popullit duhet të jetë pjesë e Kuvendit. Ai shtoi gjithashtu se “beson se edhe deputetët e tjerët, të cilët janë kundër bojkotit do të bëhen pjesë e Parlamentit”. Sipas Islamit, grupi parlamentar do të vijë tek pozicioni që kanë mbajtur të pestë deputetët që janë kundër bojkotit. “Partia Socialiste ka pësuar një sërë dështimet, duke filluar që me zgjedhjet e 28 qershorit, bojkotit të Parlamentit, protestave dhe kërkimin e zgjedhjeve të parakohshme”, - theksoi Islami, duke shtuar se pas këtyre dështimeve grupi parlamentar i PS-së do të arsyetojë dhe do të futet në Kuvend.