E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca Evropiane siguron Berishën: Së shpejti pa viza dhe në BE

Kryeministri Berisha njoftoi dje ambasadorët e Spanjës dhe KE-së për organizimin së shpejti të një konference donatorësh për të mbledhur ndihmë dhe asistencë ekspertësh profesionistë, për të vlerësuar dhe rikuperuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet si dhe për projektet mbrojtëse për këtë zonë. Z. Berisha ftoi vendet e BE-së të marrin në konsideratë pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë konferencë, pasi thellimi i lumit të Bunës si dhe masat e tjera mbrojtëse infrastrukturore janë projekte të një rëndësie të jashtëzakonshme, por edhe shumë të kushtueshme, ndaj çdo kontribut i BE-së dhe vendeve te tij është shume i mirëpritur dhe i vlerësuar.BE-ja dhe Presidenca spanjolle mbështesin plotësisht prespektivën evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin projektin e qeverisë shqiptare për liberalizimin e vizave. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit Sali Berisha gjatë pritjes që u bëri ambasadorit të Spanjës në Tiranë, Emanuel Montobio, dhe kryetarit të Misionit të BE-së në Tiranë, ambasadorit Lohan, të cilët e informuan Kryeministrin për përparësitë e Presidencës spanjolle të BE-së për gjashtë muajt në vijim. Ambasadorët Montobio e Lohan i shprehën Kryeministrit Berisha angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe Presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe proceset e tjera të lidhura me të, si ai i heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha vlerësoi se Presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në zbatimin e Traktatit të Lisbonës, si Presidenca e parë pas hyrjes së tij ne fuqi. Kryeministri e cilësoi Traktatin e Lisbonës si një ndër ngjarjet më të shënuara në historinë e BE-së, që pas traktateve të Romës dhe shprehu vlerësimin për risitë që ai sjell, në veçanti për sa i përket zgjerimit dhe axhendës së integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Ambasadorët e informuan Kryeministrin Berisha për prioritetet e Presidencës spanjolle, siç janë fillimi i vënies në jetë të Traktatit të Lisbonës dhe risive që ai sjell në strukturën, institucionet dhe të drejtën evropiane, dalja nga situata e shkaktuar si pasojë e krizës financiare botërore, por dhe vazhdimin e punës me axhendën evropiane për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor si një prioritet kyç. Bashkimi Evropian dhe Presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim, duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, si edhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave. Kryeministri Berisha i falënderoi të dy ambasadorët për ekspozenë dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe te qeverisë shqiptare për përcaktimin nga ana e presidencës spanjolle të zgjerimit të BE-së si një ndër prioritete kryesore të punëve të saj. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shprehu ambasadorëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përgatitur dhe për t’i dorëzuar Komisionit Evropian dokumentin më cilësor me përgjigjet për pyetësorin dhe për të marrë çdo masë e për të realizuar çdo reforma në fushat prioritare, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të shpejtë të përpara, si në ecjen e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE, ashtu edhe për liberalizimin sa më shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin të falënderojë të dy ambasadorët për vizitën që ata kryen në zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e jashtëzakonshme, si dhe për ndihmën dhe solidaritetin që vendet e Bashkimit Evropian i ofruan Shqipërisë për kapërcimin e kësaj situate. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i bëri me dije ambasadorëve planin e qeverisë shqiptare për të organizuar së shpejti një konferencë donatorësh për të mbledhur ndihmë dhe asistencë ekspertësh profesionistë, për të vlerësuar dhe rikuperuar dëmet e shkaktuara si dhe për projektet mbrojtëse për këtë zonë. Kryeministri Berisha ftoi vendet e BE-së të marrin në konsideratë pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë konferencë pasi thellimi i lumit të Bunës si dhe masat e tjera mbrojtëse infrastrukturore janë projekte të një rëndësie të jashtëzakonshme, por edhe shumë të kushtueshme, ndaj çdo kontribut i BE dhe vendeve të tij është shume i mirëpritur dhe i vlerësuar. Në takim u vlerësua reagimi masiv i institucioneve, i cili bëri të mundur realizimin e objektivit më madhor, shpëtimin e jetëve njerëzore. Në fund të takimit, u rikonfirmua edhe njëherë vendosmëria dhe angazhimi i Bashkimit Evropian dhe i qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat për ecjen përpara me projektin madhor të integrimit të vendit në BE. Po dje ambasadorët e Spanjës dhe KE-së u takuan edhe kryetarin e opozitës Edi Rama. Vetë kreu i PS-së nuk deklaroi asgjë pas takimit, ndërsa ambasadori spanjoll Montobio tha se Komisioni Evropian prej kohësh ka deklaruar vendimin e tij për bojkotin e opozitës. Sipas tij, dialogu duhet të vendoset mes palëve dhe të bëhet në institucione.

Tragjedia në Haiti, qeveria, 30 mijë euro ndihmë
Shqipëria, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, do t’i dhurojë Haitit si ndihmë për tragjedinë e madhe të tërmetit 30 mijë euro këtij vendi. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje vendimin e qeverisë shqiptare ndërsa i shprehu ngushëllimet autoriteteve më të larta për tragjedinë e rëndë nga tërmeti. “Haiti, sipas lajmeve shokuese nga ky vend, ka përjetuar një katastrofë njerëzore dhe materiale, të përmasave shumë të mëdha dhe ende të pa parashikuara. Thellësisht i tronditur dhe i prekur nga kjo tragjedi madhore që ka goditur këtë vend, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i shprehur Presidentit të Haitit, qeverisë, familjeve të viktimave dhe popullit haitian, ngushëllimet e tij më të thella, vendosi që Shqipëria, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të dhurojë për këtë vend 30 mijë euro”, - tha z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›