E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca e jashtëzakonshme, Rama kundër deputetëve

Opozita mbetet vetëm një hap larg Kuvendit, duke kthyer udhën atëherë kur dukej se gjithçka ishte e vendosur. Një seancë e jashtëzakonshme parlamentare për përmbytjet në veri ishte një arsye e fortë që PS të ndërpriste bojkotin e Kuvendit dhe të 64 deputetët e saj të shkelnin për herë të parë në sallën e Kuvendit. Por pavarësisht se seanca do të mbahet të hënën dhe disa deputetë socialistë deklaruan publikisht se në një rast të tillë ata do të futen në Kuvend, kreu i PS-së, Edi Rama, shoi çdo shpresë në orët e mbrëmjes së djeshme, kur tha me bindje se bojkoti do të vazhdojë. Një përçarje në radhët e përkrahësve të Ramës është e qartë, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse PS do të shfrytëzojë këtë rast për hyrë në Kuvend dhe për të bërë opozitën parlamentare në debatin për përmbytjet në veri, aq më shumë kur ajo ka ngritur shumë akuza ndaj qeverisë për këtë çështje. Edi Rama foli pasdite me një gjuhë të ashpër, duke marrë siç tha ai shkas nga një letër që kryeparlamentarja Topalli u dërgoi deputetëve socialistë, ku u bënte me dije që mandati po u skadon dhe u kërkonte të vinin në Parlament. Situata duket se i ka rrëshqitur nga duart Ramës, pasi dy deputetë të afërt të tij thanë se do të hynin në Kuvend për përmbytjet, duke e cilësuar si një çështje të sigurisë kombëtare. Sigurisht as Beqja dhe as Gjermeni nuk i kanë bërë këto deklarata në kokën e tyre për sa kohë ata po ndjekin linjën zyrtare të partisë, por të dy ata dolën zbuluar nga kryetari i tij i cili e rrëzoi disa orë më vonë opsionin e hyrjes në Kuvend për përmbytjet. Nga ana tjetër, deputetët e mendimit ndryshe po shohin me seriozitet mundësinë për ta bërë fakt atë që kanë thënë më parë, pra hyrjen në Kuvend. Po dje deputeti Kastriot Islami tha se nuk do ta digjte mandatin, por jo për shkak të përmbytjeve, por si një besim se bojkoti nuk ishte i arsyeshëm.

Përçarja socialiste

Sinjali i parë dhe më serioz erdhi nga deputeti i qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja, i cili ka ndjekur nga afër situatën e përmbytjeve atje dhe e sheh si një detyrim madhor ndaj zgjedhësve që e kanë votuar marrjen pjesë në një seancë parlamentare, ku do të diskutohet kjo çështje. Në emisionin “Top Story” në “Top Channel” ditën e enjte, Beqja deklaroi se në një seancë të veçantë parlamentare për Shkodrën, deputetët socialistë do të futen në Parlament. “E kemi deklaruar edhe në fund të dhjetorit, se për çështje të sigurisë kombëtare ne jemi gati të futemi në Parlament. Në një seancë të jashtëzakonshme për situatën në Shkodër, ne do të jemi prezente”, - u shpreh ai, duke theksuar madje se ai vetë personalisht nuk mund të mos ishte në një seancë të tillë kur bëhej fjalë për zonën e tij elektorale. Kjo deklaratë nuk ishte as e nxituar dhe as personale deri në momentin kur nuk e përgënjeshtruan nga partia e tij, madje përkundrazi e përforcuan. Dje paradite një tjetër deputete e selisë rozë, Eglantina Gjermeni, tha se vëmendja maksimale duhet përqendruar tek përmbytjet dhe se grupi kuvendor socialist nuk ndryshon vendimin nga bojkoti. “Vetëm nëse ka një seancë të jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve. Vendimi duhet të jetë institucional dhe politik i gjithë grupit parlamentar të Partisë Socialiste”, - tha Gjermeni. Ndërsa pasdite në dy dalje publike u hodh poshtë ky qëndrim dhe pse ndërkohë Jozefina Topalli kishte njoftuar për një seancë të jashtëzakonshme parlamentare duke i hapur rrugën në mënyrë të qartë rikthimit të PS-së në Kuvend, një gjë që duket se mazhoranca po e dëshiron më fort se PS-ja.
Deputeti Saimir Tahiri tha se “Sali Berisha ta harrojë se Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin. Sali Berisha ta harrojë se PS do pushojë së kërkuari deri në fund, hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit”. Pak më vonë Rama nuk u mjaftua me qëndrimin e Tahirit, por doli vetë dhe tha se “PS nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj, të prerë e të qartë, për të mos u bërë fasada demokratike e një parlamenti që s’ka kurajën të hetojë zgjedhjet nga ka dalë duke hapur kutitë e votimeve mbi të cilat rri”. Rama e cilësoi diversion letrën e Topallit, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kundërshtive brenda partisë së tij dhe as nuk përmendi seancën e jashtëzakonshme. Ai ndërkaq foli për përmbytjet dhe lajmëroi se asambleja e ditës së diel do të jetë pikërisht për këtë çështje, ku sipas tij, do të faktohen akuzat se qeveria është fajtore për situatën në veri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›