E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e Topallit: Kushtetuta ju lë afat deri më 6 mars

kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka dërguar letër secilit prej deputetëve të Partisë Socialiste, ku u kërkon të ndërpresin bojkotin dhe të shkojnë në Parlament. Në tekstin e letrës, i cili është i njëjtë për të 64 deputetët e pabetuar socialistë, kryeparlamentarja përveç thirrjes të përsëritur tashmë për të hyrë në sallën e Kuvendit, çka do të bënte të vlershëm dhe mandatin e tyre të fituar në 28 qershor, i informon se ditën e hënë do të zhvillohet një seancë debati për përmbytjet në Qarkun e Shkodrës. Të pyetur nga “Klan” se kush do të jetë vendimi i tyre në përgjigje të kërkesës së kryeparlamentares Topalli, deputetet Arta Dade dhe Elida Gjermeni kanë bërë këto deklarata evazive. Sinkron. Në letrën që Topalli i ka nisur këtë të premte deputetëve socialistë, i informon gjithashtu mbi atë që parashikon Kushtetuta në rastet e një bojkoti të zgjatur siç është rasti i deputetëve socialistë dhe tekstualisht Topalli citon nenet 71/ pika 2 të Kushtetutës, ku në dy pika thuhet se mandati i deputetëve mbaron ose bëhet i pavlefshëm kur: a. Ai nuk bën betimin dhe d. Kur mungon pa asnjë arsye për 6 muaj rresht në Parlament.
Në datën 6 mars, shkruan Topalli mbushen 6 muaj nga mbledhja e parlamentit në legjislaturën e 18-të. Kryeparlamentarja i informon deputetët mbi datat e seancave parlamentare nga janari deri në 6 mars, duke i kërkuar që brenda kësaj periudhe ata t'i drejtohen Kuvendit në mënyrë që të mos bëjnë të pavlefshëm mandatin e tyre për shkak të mosbetimit në kohën e parashikuar nga Kushtetuta. Pas kësaj vendimi i takon vetë deputetëve socialistë për të respektuar detyrimin e tyre kushtetues, por nëse do t'i përmbahen deklaratave të bëra nga vetë ata atëherë seanca e të hënës do të shënojë dhe fundin e marrëdhënieve të kushtëzuara me parlamentin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›