E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi/KESH dhe OST mirëmenaxhuan situatën hidroenergjetike

Komuniteti i biznesit prodhues, i grupuar pranë Konfindustrisë, ndërsa ka vlerësuar mirëmenaxhimin e situatës nga ana e KESH-it dhe OST-së, ka kërkuar dje nga qeveria të marrë masa të menjëhershme konkrete për zhdukjen e pasojave të lëna në zonat e përmbytura në Shkodër. Nga ana tjetër, biznesi prodhues ka kërkuar nga qeveria që të bëhet kujdes me ndërtimet e kryera pa leje në zonat e rrezikuara dhe njëherësh kërkon nga ALUIZNI të mos miratojë ndërtime në zona të rrezikuara, me qëllim që të mos përsëriten situata të tilla

Pasojat e krijuara në zonat e përmbytura në Shkodër duhet menjëherë të zhduken me masat që do të marrë qeveria. Nga ana tjetër, kërkohet nga ALUIZNI të mos ligjërojë ndërtimet pa leje në zona që përbëjnë rrezik, për të mos u përsëritur situata të tilla në një kohë tjetër. Këto janë disa nga kërkesat që bëri dje komuniteti i biznesit prodhues. Konfindustria, duke shprehur keqardhjen për pasojat e rënda të krijuara gjatë përmbytjeve të ditëve të fundit në Veriun e Shqipërisë, vlerëson menaxhimin nga ana e KESH-it - Korporata Energjetike e Shqipërisë dhe OST-së - Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë, për optimizimin e sistemit energjetik në: prodhimin maksimal dhe qëndrueshmërinë e linjave të transmetimit të tensionit të lartë. Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare dhe vendimmarrjes politike në përgjithësi, që pas tejkalimit të gjendjes së jashtëzakonshme, të shkëputet nga veprimet me natyrë populiste dhe të punojë për zhdukjen e shkaqeve thelbësore, që rënduan në mënyrë të tejskajshme pasojat e përmbytjeve masive, me qëllim mospërsëritjen në të ardhmen si p.sh.: keqadministrimi dhe moskontrolli skajor i territorit deri në formën e rënies së plotë të autoritetit shtetëror, shfaqur me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht jashtë standardeve të qindra e qindra shtëpive në zona qartësisht dhe historikisht të palejueshme për ndërtim. Duhet të pranohet dhe të sqarohet, se është e papranueshme, që taksat e qytetarëve shqiptare të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët e ndërtimeve të paligjshme në zona të rrezikuara të banimit, bizneseve dhe hoteleve turistike etj., përfshi edhe ndërtimet e kryera me lejet e marra në mënyrë korruptive dhe në kundërshtim të plotë me standardet e lejueshme në fuqi. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ligjërohen nga ALUIZNI ndërtimet në zona të rrezikuara në gjithë territorin e vendit, përfshi edhe zonat detare dhe lumore të përmbytjeve.
Efektiviteti i ulët në përdorimin e mbi 100 milionë dollarë të shpenzuara prej më shumë se 12 vjetësh në projektin e Bankës Botërore për ujitjen dhe kullimin e tokave në Shqipëri të financuar me kredi, që kanë filluar të paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Sqarimi i plotë i mënyrës së veprimit të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e digave dhe dhënien e zgjidhjeve ligjore të problemeve të krijuara në bashkëveprimin ndërmjet prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike të ardhura nga shkëputja e sistemit të përqendruar energjetik të vendit pas privatizimit të OSSH/Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›