E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epoka e Re

Kryeministri Hashim Thaçi pritet të nxjerrë sot për aprovim zyrtar Strategjinë për vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës, ku ende veprojnë struktura paralele të financuara nga Beogradi.

Burime të gazetës Express kanë thënë se një nga pikat e mbledhjes së sotme të Qeverisë është zyrtarizimi i kësaj strategjie që është hartuar në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë dhe pritet të jetë prioritet i tyre gjatë këtij viti.

Një prej versioneve të para të kësaj strategjie ka rrjedhur në media. Jozyrtarisht thuhet se plani ka katër qëllime kryesore. 1) Qeveria e Kosovës me përkrahësit e vet ndërkombëtarë do të krijojë një komunë të re të Mitrovicës Veriore përmes zgjedhjeve që do të mbahen kah mesi i vitit 2010, nën kornizën ligjore të Kosovës; 2) Qeveria e Kosovës do të organizojë zgjedhje lokale në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kah fundi i vitit 2010, të cilat do të funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës; 3) Gjatë të njëjtit afat kohor, strukturat paralele do të margjinalizohen dhe Zyra e UNMIK’ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet. 4) EULEX’i do të forcojë praninë e vet në tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do të forcojë në mënyrë të dukshme sundimin e ligjit, me gjykata, polici dhe dogana më efikase në këtë pjesë të vendit.

Kryeministri Thaçi, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith dhe ai i EULEX’it, Yves de Kermabon kanë deklaruar se në pjesën veriore mund të zbatohet vetëm sistemi ligjor i Kosovës.

Nga ana tjetër, i ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka thënë të premten se Serbia nuk guxon të lejojë që të zbatohet plani për shuarjen e strukturave paralele. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se këto institucione “janë shpresa e vetme që serbët të mbijetojnë dhe të forcohen ekonomikisht”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›