E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asfaltimi, mbyllet rruga e Durrësit

TIRANE-Trafiku në kryeqytet ka pësuar një tjetër devijim. Kjo pasi bashkia e Tiranës ka nisur dje punë për asfaltimin e Rrugës së Durrësit, e cila do të qëndrojë e mbyllur për automjetet për një javë. Për të lehtësuar trafikun gjatë kësaj kohe të gjitha makinat do të kalojnë nga "Mine Peza", segment në të cilin nuk do të lejohet parkimi i makinave deri në përfundimin e punimeve.
Bashkia e Tiranës ka sqaruar se këto punime kryhen në kuadër të projektit të transportit multimodal të qytetit të Tiranës. Administratori i përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, ka deklaruar se kjo rrugë ka pasur mjaft probleme sa i përket shtresave asfaltike, ndaj ishte i domosdoshëm asfaltimi dhe sistemimi i saj. "Bashkia e Tiranës dhe subjekti kontraktor kanë marrë të gjithë masat dhe mjetet e nevojshme të vëna në dispozicion, në mënyrë që punimet të kryhen në një afat rekord prej një jave. Kështu, në fund të javës tjetër, rruga e "Durrësit" do të jetë tërësisht e asfaltuar dhe e lirë për qarkullimin e mjeteve, ndërkohë që gjatë kësaj jave qarkullimi do të kryhet përgjatë rrugës "Mine Peza", ku nuk do të lejohet parkimi gjatë kohës që kryhen punimet", - ka sqaruar Agolli.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›