Asfaltohen 22 kilometrat e para të Sarandë-Konispol
Ka përfunduar asfaltimi i 22 kilometrave të para të superstradës Sarandë–Konispol, investim me vlerë rreth 29 milionë euro. Në këtë kuadër, ishte i pranishëm edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili gjeti rastin për të kryer inspektime, kryesisht në segmentin Kanali Cukës-Butrint. Aktualisht përqendrimi më i madh i punimeve është tek dy urat, ajo e Kanës dhe e kryqëzimit të Delvinës. Superstrada Sarandë-Konispol përbëhet nga dy seksione, Qafë Botë-Krane dhe Krane–Sarandë, me gjatësi totale prej 40 kilometrash dhe gjerësi 9.5 metra, i përbërë me nga 2 korsi, ku shpejtësia e lëvizjes është 80-100 km/orë. Për investimin e projektit ka dhënë kontribut edhe qeveria greke. “Deri në këto momente janë kryer 70% e punimeve. Rruga përbëhet nga 12 ura dhe shume vepra të tjera arti. Janë asfaltuar 22 kilometra dhe po punohet me ritme të larta në të gjithë segmentin”, tha supervizori i rrugës. Ministri Olldashi gjatë inspektimit u ndal edhe në segmentin turistik Kanali i çukës–Butrint, ku ka filluar asfaltimi i 3 kilometrave të parë. Projekti u rishikua në tërësinë e tij, duke dhënë një zgjidhje përfundimtare rrugës pa dëmtuar vlerat arkeologjike të zonës si dhe parkun e Butrintit. Segmenti Kanali çukës–Butrin ka një gjatësi prej 12 kilometrash dhe kap një vlerë investimi prej rreth 1.2 miliardë lekësh.
#