E Diel, 1 Nëntor 2026

Hazizaj: Mbarimi i mandateve mban të bllokuar Gjykatën Kushtetuese

Intervista Ish deputeti dhe juristi i njohur: Viti 2011 do të vijë me të njëjtën situatë ligjore, për shkak të shkeljeve

Odiseja e luftës që zgjat prej disa muajsh mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës që ka si “viktima” dy institucionet e rëndësishme siç janë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, shikohet sipas ekspertëve të njohur dhe opinionit publik, si një telash i tepërt për shqiptarët. Sipas ish-deputetit dhe konstitucionalistit Sokol Hazizaj, vendi ndodhet në një krizë kushtetuese, që rrezikon të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Në një intervistë për “Shqip”, Hazizaj analizon nga aspekti ligjor situatën e krijuar në institucionin që interpreton ligjin themeltar të shtetit, pas mbarimit të mandatit të kryetarit, por edhe katër anëtarëve të saj...

Mazhoranca akuzoi Presidentin për shkelje të Kushtetutës për çështjen e mandatit të kreut të Gjykatës Kushtetuese. Sipas jush si qëndron çështja ligjërisht?

Në analizë të çdo mjedisi social e institucional që mund dhe duhet të trajtosh për zhvillimet në vendin tonë, konstatohet thjesht se jemi përballë ndotjes së vazhdueshme mjedisore edhe në fushën e zbatimit të legjislacionit në përgjithësi, sa i përket interpretimit dhe mënyrës së zbatimit të tij. Që do të thotë se, nga njëra anë të gjithë aktorët bërtasin për zbatimin e ligjit, dhe nga ana tjetër, thuajse të gjithë e keqzbatojnë atë deri në shtrembërim. Procedura e zbatimit të ligjit është shumë e thjeshtë kur kërkon ta ndjekësh atë, për shkakun se në përgjithësi sa i përket frymës së formatimit ligjor, legjislacioni shqiptar është i karakterit përshkrues, i lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u artikuluar në zbatim të tij. Në këtë kuptim duhet kuptuar dhe çështja e mandatit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të saj. Në nenin 125, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet se: . Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh”. Që do të thotë se përgjegjësia kryesore për emërimin e kryetarit të saj është e Presidentit të Republikës, tagër i cili nuk është vetëm për kryetarin, por dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ajo që palët i ka vendosur në pozicione thuajse të ndryshme dhe të papajtueshme, është pika 5 e nenit 125, ku parashikohet se: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij”. Arsye që Presidentit të Republikës i jep “mundësinë” që në rastin kur mazhoranca parlamentare nuk miraton kandidatët e paraqitur prej tij, t’i japë “luksin” që të qëndrojë në pritje të ndonjë kompromisi të propozuar më pas nga palët politike. Siç shihet në analizë të procesit të emërimit të anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, për arsye të papajtueshmërive midis palëve, procesi mund të vazhdojë pa fund, pra sa kohë nuk ka ndonjë emërim të ri, mandatet e mëparshme mund të vazhdojnë në pafundësi. Në të vërtetë, kjo mënyrë e të kuptuarit është tërësisht jo kushtetuese dhe jo normale për një vend i cili kërkon zhvillim, dhe kërkon të ndahet nga periudhat e hershme të lashtësisë së “ligjeve të heshtura”, kur sa kohë që “monarku” i dytë nuk deklarohej për aktet e të parit, ato vazhdonin të zbatoheshin. Në këtë kuptim, duhej që Presidenti i Republikës konstaton më parë se mandati i njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është duke mbaruar, të fillojë negociatat për emërimin e anëtarit të ri. Por me kë duhen të bëhen negociatat? Sipas shembullit shqiptar dhe jo kushtetues, negociatat fillojnë me “këshillin e të urtëve”, kur në të vërtetë ato duhet të fillojnë dhe mbarojnë më Kuvendin e Shqipërisë sipas Kushtetutës. Po sipas shembullit shqiptar jokushtetues, mazhorancat politike kanë rrezuar dhe do të rrëzojnë në mënyrë të vazhdueshme kandidatët për gjyqtarë dhe të institucioneve të tjera, të propozuar nga Presidenti, me shkakun e thjeshtë se mënyra dhe rruga që ndjek Presidenti për emërimin e anëtareve të gjykatave nuk është kushtetuese, për shkak të mosrespektimit të mandatit të tyre. Në këtë kuptim, sa i përket mandatit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të saj, duket qartë se sot ne jemi pa Gjykatë Kushtetuese, dhe nuk dihet se sa do të vazhdojë kjo situatë, por me siguri viti 2011 do të vijë me të njëjtën situatë ligjore, për shkak të shkeljeve dhe krizës kushtetuese dhe institucionale në vendin tonë nga të gjitha palët.

Mund të vazhdojë Gjykata Kushtetuese me anëtarë me mandat të përfunduar e nëse po, edhe sa, ndërkohë që sa mund ta dëmtojë këtë institucion çështja e kryetarit?

Sa kohë Kushtetuta dhe ligji organik i Gjykatës Kushtetuese parashikojnë mandate 9 dhe 3-vjeçare për anëtarin dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, duhet thënë se mandati ka një fillim dhe mbarim. çdo zgjatje e tij për shkaqe që nuk vijnë në përputhje me frymën e ligjeve në përgjithësi nuk është normale dhe demokratike, është thjesht krizë dhe arbitraritet. Zoti na ruajt, nëse qëndrojnë përherë të njëjtët individë nëpër institucione, për shkaqe të njëjta siç shpjegova më sipër. Sa kohë mandati i kryetarit ka mbaruar dhe më e rëndësishmja, sa kohë mandati i katër anëtarëve ka mbaruar, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta realizojë misionin e saj, pra nuk mund të mblidhet në seancë plenare për shqyrtimin e çështjeve.

Pas rrëzimit të 2 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, si e shikoni çështjen në këtë institucion ku vendet mbeten vakante dhe a është ky një problem për gjyqësorin?

Për shkak të paqartësisë në interpretim të ligjit, si dhe krizës institucionale që mbretëron te ne, nuk do të ishte e tepërt të deklaroja se çështja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojë për kohë të gjatë, por në ndryshim nga Gjykata Kushtetuese që nuk funksionon se nuk mund të mblidhet, Gjykata e Lartë funksionon pa problem, por jo me rendimentin e duhur. Gjithsesi, të gjitha kostot bien mbi qytetarin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›