Meta, Assadit: Njihni shtetin e Kosovës
Diplomacia shqiptare rivlerëson qendrat e rëndësishme politike dhe ekonomike të Lindjes së Mesme. Të lëna prej kohësh në periferi të vëmendjes së Tiranës zyrtare dhe të errësuara nga prioriteti i Integrimit në Bashkimin Europian, shtetet e rëndësishme të botës arabe po hyjnë së fundmi në axhendën politike të vendit tonë, duke sinjalizuar ngritjen e nivelit të marrëdhënieve. Vizita e fundit e zëvendëskryeministrit Ilir Meta në Siri ka sjellë me vete jo vetëm takimin me kreun e saj, Presidentin Bashar Al Assad, djali i ish-presidentit Hafez al-Assad, por edhe premtimin e këtij të fundit për një vizitë në Shqipëri. Sipas njoftimeve të Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Jashtme, në këtë takim, Meta ka nënvizuar nevojën e thellimit të marrëdhënieve me një vend si Siria, që sikurse ka deklaruar ai “ka një rol kyç për paqen në Lindjen e Mesme”. Influenca e saj në Liban dhe Irak, si dhe historia e ballafaqimeve ushtarake në të shkuarën e afërt me Izraelin, e bëjnë Damaskun zyrtar një faktor të dorës së parë të paqes në Lindjen e Mesme, si për interesat e Perëndimit ashtu edhe për rolin e vet në botën arabe. Ky kontekst është vlerësuar nga Meta si një mundësi për trajtimin e çështjes së Kosovës, sidomos pas mendimit të shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e cilësoi shpalljen e pavarësisë si një akt që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, është një faktor i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit dhe paqen në Ballkan dhe në botë. Shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe legjitim, i cili në të ardhmen do të zërë vendin e merituar në organizatat ndërkombëtare”, është shprehur ministri i Jashtëm shqiptar, që ka kërkuar nga Presidenti sirian rivlerësimin e qëndrimit të saj mbi këtë çështje. Ai ka dhënë një prononcim të parë edhe për sa i përket konfliktit izraelito-palestinez që sipas tij, mund të gjejë rrugën e zgjidhjes përmes njohjes reciproke. Në këtë kuadër, Al Assad ka bërë një rikapitullim të asaj që cilësohet si “politikë armiqësore dhe agresive e Izraelit” në Lindjen e Mesme. Interesi dypalësh është formalizuar në mirëkuptimin e vendosur për nevojën e konsultimeve diplomatike, në bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare, por edhe në një vështrim më pragmatist të interesave reciproke ekonomike. Një element që sillet në vëmendje për herë të parë pas shumë kohësh është theksimi i rolit të komunitetit shqiptar në Siri, që ka rrënjë historike në këtë vend. Në raport me periudhën e pluralizmit, lëvizjet e fundit diplomatike të Tiranës zyrtare mund të konsiderohen si një hapje drejt Lindjes. Ato zënë fill me përpjekjen e Kryeministrit Sali Berisha me Katarin, një investitor i rëndësishëm në vendin tonë, si dhe me nisma të tjera që morën kuptim në qëndrimin e Konferencës Islamike për çështjen e Kosovës. Në një sfond më tradicional, turi aktual e zgjeron gamën e interesit shqiptar përtej Turqisë, që deri më tani ka luajtur rolin thelbësor të pikëtakimit me Lindjen e Mesme, një rajon me të cilin bota shqiptare ka lidhje historike. Takimi mes Metës dhe Al Assad u asistua edhe nga ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moallem.
#