E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, miting antishqiptar në zonën e Verias

Dhiavato Rreth 200 të rinj të ekstremit të djathtë kërkuan largimin e të huajve nga vendi

Megjithëse kanë kaluar dhjetë ditë nga konfrontimi i përgjakshëm i emigrantëve shqiptarë me disa adoleshentë grekë, që pati si rezultat plagosjen e katër personave, në komunën Dhiavato të Verias, gjendja vazhdon të ngelet tepër e tensionuar.

Ndërsa organet e rendit dhe banorët më gjakftohtë përpiqen të qetësojnë situatën tejet të rënduar, një miting në pasditen e së shtunës, i rreth 200 të rinjve të organizatës ultranacionaliste të djathtë “Hrisi Avgji”, në fillim në sheshin e fshatit e më pas në rrugët e qytetit të Verias e ka ndezur edhe më shumë atmosferën.

Duke hedhur parulla si “Jashtë të huajt nga Greqia”, ata kanë shfaqur mbështetjen e tyre ndaj familjeve të adoleshentëve grekë që janë plagosur nga sulmi me thika i pesë shtetasve shqiptarë, tre prej të cilëve tashmë janë arrestuar.

Edhe në rrugët e qytetit të Verias ata kanë hedhur parulla kundër emigrantëve shqiptarë, si dhe kanë grisur një fotografi të flamurit shqiptar në një prej zyrave të agjencisë së udhëtimit “Emigranti”.
Në të njëjtën orë, në një pjesë tjetër të qytetit, të rinj anarkistë të grupeve të majta, kanë organizuar një antimiting në mbështetje të emigrantëve, duke mbajtur pankarta në duar ku shkruhej “Dëboni fashizmin nga bota”.

Në qytetin e Verias,70 kilometra në perëndim të Selanikut, ka pasur gjatë gjithë pasdites forca të shumta të policisë, të cilat nuk kanë lejuar konfrontime apo incidente midis dy grupeve të protestuesve.

Ajo për të cilën shprehin të gjithë keqardhjen është fakti se si një fshat që ishte shembull për bashkëjetesën paqësore midis grekëve dhe dhjetëra familjeve shqiptare, është tashmë nën tension.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›