E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asfiksia, çifti gjendet i vdekur në makinë

Ngjarja aksidentale
 

 
Viktimat të identifikuara si banorë të kryeqytetit, janë gjendur pa jetë në ndenjësen e pasme të automjetit. Policia thotë se vdekja e dyfishtë ka ardhur si pasojë e tymit të makinës që ka qëndruar për disa orë e ndezur brenda një garazhi
 
 
Artan CENA
TIRANë - Një burrë dhe një grua janë gjetur pa jetë në ndenjësen e pasme të një automjeti që ishte parkuar në afërsi të magazinave, pranë tregut të ish-uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Nga të dhënat mësohet se burri 58-vjeçar dhe gruaja 38-vjeçare kanë humbur jetën të mbytur nga dioksidi i karbonit që ka lëshuar makina gjatë natës, pasi ishte lënë ndezur brenda garazhit. Lajmi është bërë ditur nga burimet zyrtare të policisë, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, pasi ishin njoftuar nga një roje. Nga të dhënat e para të policisë, mësohet se makina ku ndodhej çifti i vdekur është gjetur pranë një garazhi të magazinave të ish uzinës-“Dinamo”, ndërsa vdekja mund të ketë ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Automjeti është parë nga roja i pallatit vetëm në orën 7:00, duke e bërë të pa mundur shpëtimin e çiftit, i cili sipas policisë ndodhej në ndenjësen e pasme të makinës. Trupat e pajetë të burrit dhe gruas të identifikuar si Luan Veizi, 58 vjeç, dhe Daniela S., 38 vjeçe, janë dërguar në morg, ku iu nënshtruar autopsisë për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes së tyre. Identifikimi i 58-vjeçarit është bërë nga leja e drejtimit të mjetit, ndërsa të vështirë policia e ka pasur për identifikimin e gruas, e cila nuk kishte asnjë dokument me vete.
Ngjarja
Sipas të dhënave të policisë, të dy viktimat kanë qenë në një makinë të tipit “Audi” me targa të huaja, e cila është parkuar në garazhin e 58-vjeçarit, që ishte i mbyllur me qepen. Ngjarja fatale që i mori jetën çiftit, sipas policisë, dyshohet të ketë ndodhur nga tymi i automjetit ku ata ndodheshin, i cili ka qëndruar i ndezur për shumë orë. Si pasojë e ambientit të vogël, ku ndodhej automjeti dhe mungesës së ajrosjes, 58-vjeçari dhe 38-vjeçarja dyshohet se janë asfiksuar dhe kanë ndërruar jetë rreth orës 4:00 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa automjeti me trupat e tyre të zhveshur është gjendur nga roja vetëm në orën 7:00. Nga konkluzionet e para të hetimit, bëhet me dije se automjeti tip “Audi” ka qenë i ndezur për gjithë natën dhe tymi i nxjerrë prej saj ka shkaktuar edhe mbushjen e garazhit me dioksid karboni, duke sjellë edhe vdekjen e dy personave, burrë e grua. Ky ka qenë dhe versioni zyrtar i policisë, që mësohet se e ka klasifikuar vdekjen e dyfishtë si aksidentale, por hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
Hetimi
Trupat e pajetë të çiftit janë dërguar në morgun e Tiranës, ku është bërë ekspertiza, nga e cila paraprakisht ka rezultuar se Luan Veizi, 58 vjeç, dhe Daniela S., 38 vjeçe, kanë vdekur nga asfiksia e sjellë nga mungesa e oksigjenit dhe çlirimi i dioksidit të karbonit nga makina e ndezur. Mjekët shpjegojnë se shkaku i vdekjes ka qenë intoksimi nga dioksidi i karbonit. Por ekspertët e mjekësisë ligjore kanë marrë kampione nga trupat e dy të vdekurve, për të bërë dhe analiza të tjera, nëse ata kishin pirë ndonjë gjë tjetër, apo kishin ndonjë problem. Sipas policisë, fillimisht ka qenë i vështirë identifikimi i gruas, e cila nuk dispononte asnjë dokument, por vetëm gjatë orëve të pasdites, familjarët e saj kanë shkuar në morg, ku dhe kanë bërë identifikimin e tyre. Policia tha se 58-vjeçari ishte tregtar në tregun e ish-uzinës “Dinamo”, ndërsa pohohet se ai ishte i martuar dhe me fëmijë. Ndërkaq që gruaja që është gjetur e vdekur, jetonte në një lagje tjetër dhe ishte beqare. Burime nga policia kanë bërë të ditur se çifti është gjetur i zhveshur në makinë.
 
 
 
Shkaku
Nga konkluzionet paraprake, të dhëna nga ekspertët e policisë që kanë shkuar në vendngjarje, dyshohet se shkak i vdekjes së viktimave të jetë nga asfiksia e gazrave të automjetit, pasi ata kanë qëndruar për një kohë të gjatë në një garazh të mbyllur dhe automjetin të ndezur. Por mjeko-ligjorët mësohet se kanë marrë kampione nga dy viktimat për të kryer analizat biologjike, për të parë nëse në gjakun e tyre ka elemente të lëndëve të tjera, çka mund të ketë sjellë mungesën e reagimit të tyre ndaj tymit të automjetit, çka dyshohet se iu ka shkaktuar edhe vdekjen.
 
 
 
Policia/ Të arrestuar 3 italianë dhe 4 shqiptarë
 
Vranë shqiptarin se komplimentoi një vajzë, 7 në pranga 
MILANO - Shtatë persona janë vënë në pranga në Itali, për vrasjen e një shqiptari dy ditë më parë. Policia italiane ka bërë të ditur se deri tani janë arrestuar 3 italianë dhe 4 të tjerët janë shqiptarë. Arrestimi i tyre u bë në kuadër të hetimit për gjetjen e autorit të krimit, por edhe pse kanë kaluar shumë orë nga ngjarja, policia nuk ka mundur ende të identifikojë vrasësin. 38-vjeçari Altin Avrami mbeti i vdekur, pasi u qëllua me armë zjarri në një lokal nate në Milano, ndërkohë që mbetën të plagosur një tjetër shqiptar dhe një italian. Sipas informacioneve të mbledhura nga dëshmitarët, një grup shqiptarësh dhe një grup italianësh që ndodheshin në një tjetër tavolinë të barit diskutuan ashpër mes tyre dhe shkak mendohet të kenë qenë vlerësimet drejtuar vajzave me të cilat shoqëroheshin. Diskutimi verbal degjeneroi në sherr dhe më pas një prej shqiptarëve dhe një prej italianëve nxorën pistoletat dhe filluan të qëllonin në drejtim të njëri- tjetrit. Si pasojë Avrami u qëllua në gjoks, në lartësinë e zemrës, shqiptari tjetër, identiteti i të cilit nuk dihet ende në krah, ndërsa një prej italianëve në dorë. Dëshmitë e mbledhura nga pjesëtarët e grupeve janë të kontradiktore. Shqiptarët ua hedhin fajin për ngjarjen italianëve dhe e kundërta. Ndërkaq, policia vazhdon hetimet për të zbuluar se nga pistoleta e cilit person doli plumbi që i mori jetën shqiptarit Altin Avrami. Mësohet se askush prej 7 të arrestuarve nuk ka pranuar autorësinë e vrasjes së shqiptarit, edhe pse dëshmitarët kanë pohuar se të gjithë ata, 3 italianë dhe 4 shqiptarë, kanë qenë pjesë e sherrit me viktimën. Hetimet sipas mediave italiane i vështirëson akoma më shumë gjetja e armës së krimit, e cila do të përcaktonte edhe autorin e vrasjes së shqiptarit. Mësohet se viktima jetonte prej vitesh në Itali, ndërsa mbrëmjen e ngjarjes kishte shkuar në një lokal nate për t’u argëtuar.
 
 
 
Shkodër
 
Aksident në punë, saldatori vdes nga korrenti
 
SHKODëR – Aksidentohet teksa punonte në punishten e tij dhe nuk mbijeton dot. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Shkodrës bënë të ditur se dje se ka gjetur vdekjen një 40-vjeçar, saldator nga Shkodra, pas rënies në kontakt me tensionin e lartë. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:00 të pasdrekes, kur 40-vjeçari Ilir Faslija nga Bushati i Shkodrës gjatë punës si saldator në punishten e tij të hekurit ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Edhe pse është dërguar në urgjencën e spitalit të Shkodrës, 40-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë përplasjes nga korrenti, duke humbur jetën në spital. Policia e Shkodrës njofton nëpërmjet komunikatës së saj për shtyp, se në momentin e ngjarjes Faslija ka qenë i vetëm në punishten e tij. Gjithsesi, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të kësaj ngjarjeje, nëse ka qenë ndonjë pakujdesi e vetë viktimës, apo ndonjë problem me linjën e tensionit të lartë.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›