E Diel, 1 Nëntor 2026

Asfiksohet familja me tetë vetë

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Qymyri në mangall për pak merr jetën e tetë anëtarëve të një familjeje në Vlorë. L. Shahini bashkë me gruan, katër fëmijët dhe dy prindërit e tij kaluan në gjendje asfiksie ndërsa po ngroheshin.
Por për fat të mirë, gruaja e Shahinit, gjysmë e asfiksuar ka mundur të kërkojë ndihmë te komshiu i tyre, i cili u shpëtoi jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të së enjtes në lagjen “Çole” të Vlorës, kur familja Shahini ishte ende zgjuar. Ata kishin ndezur një mangall me qymyr për t’u ngrohur, por çlirimi i oksidit të karbonit u rrezikoi jetën. Sipas dëshmisë së dhënë edhe nga vetë familjarët në polici, një orë pas ndezjes së mangallit ata i ka zënë gjumi nëpër divane, karrige dhe ku janë ndodhur, pa e kuptuar se gjumin po ua shkaktonte çlirimi i lëndës toksike nga qymyri me të cilin po ngroheshin. Mbas një ore, e zonja e shtëpisë është zgjuar nga një dhimbje e fortë e kokës. Me vështirësi ajo u është afruar pjesëtarëve të tjerë të familjes, por aty ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Të gjithë ishin në gjendje asfiksie. Ajo është përpjekur t’i zgjojë shtatë familjarët, por asnjëri prej tyre nuk është përmendur. Sipas policisë, gruaja që shpëtoi edhe familjarët e saj nga një tragjedi e mundshme ka mundur të dalë nga banesa e saj, duke u tërhequr zvarrë dhe njoftoi komshiun e saj. Fqinji i familjes Shahini shkoi në vend dhe gjeti të asfiksuar 7 persona. Ai njoftoi menjëherë policinë, ndërsa me disa makina të rastit çoi në spital të asfiksuarit. Sipas burimeve spitalore, të asfiksuarit ishin L. Shahini bashkë me gruan, katër fëmijët e tij, (më i vogli 4 vjeç) si dhe dy prindërit e moshuar të tij. Mbasi u transportuan në spital, mjekët u dhanë ndihmë me urgjencë për t’i nxjerrë nga gjendja e asfiksisë. Sipas burimeve në spital, 30 minuta pas mbërritjes gjendja e tyre u përmirësua, duke e kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa dje në mëngjes, tetë familjarët lanë spitalin dhe u çuan në banesën e tyre, shtëpi private në lagjen ku jetonin. Mjekët dhe burimet policore konfirmuan se asfiksia e familjes Shahini kishte ndodhur nga përdorimi i mangallit për ngrohje. Dyshohet se mangalli është futur në banesë pa u djegur mirë qymyri apo drutë, e më pas flaka e vogël me ngjyrë jeshile ka lëshuar oksidin e karbonit, i cili është helmues dhe tepër i rrezikshëm. Pa e kuptuar, ata kanë kaluar njëri pas tjetrit në gjendje asfiksie, por që fatmirësisht kjo ngjarje nuk përfundoi në tragjedi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›