Kartat e identitetit, aplikimi nis me probleme
SHKODER - Procesi i aplikimit për kartat e identitetit nis me probleme në Shkodër. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, dhjetëra qytetarë janë drejtuar drejt ambienteve të gjendjes civile. Por edhe pse kanë pritur me orë të tëra, ata hasën në vështirësi për të aplikuar. Nga 12 sportele të instaluara, vetëm njëri prej tyre ishte në gjendje pune. Fillimisht tek qytetarët u aludua fakti se kishte një problem në serverin qendror. Por ndërkohë që më vonë është mësuar se ka qenë një mangësi teknike e përfaqësuesve të firmës SAGEM, e cila kishte harruar të lidhte me sistemin qendror të së dhënave pajisjen e nënshkrimit elektronik të aplikuesve. Kjo bëri që banorët e interesuar për pajisjen me kartë, të presin me orë të tëra para sporteleve pa e ditur shkakun e kësaj pritjeje. Megjithëse Bashkia e Shkodrës kishte marrë masat e saj për ngritjen e zyrave përkatëse dhe vënien në dispozicion të ambienteve të përshtatshme për të aplikuar, firma përkatëse la jashtë funksionit 11 sportele nga 12 që janë gjithsej në shërbim të qytetarëve. Sipas bashkisë, institucioni i tyre kishte marrë të gjitha masat për kompletimin e infrastrukturës së duhur. “Që ditën e hënë kemi qëndruar në pritje të pajisjeve, që firma e shpallur fituese për logjistiken e këtij procesi të sillte pajisjet e saj. Madje, në një bashkëpunim të saj me degën e Albapostës janë marrë masa për vënien në shërbim të qytetarëve të 12 sporteleve të zyrave të kësaj dege poste, në 6 pika të ndryshme të qytetit të Shkodrës”, bënë të ditur burimet në Bashkinë e Shkodrës. r.d