E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjë e re nga fronti i politikës

Nga Besnik Gjongecaj

Ndërsa shtypi dhe politikanët e PD e karakterizuan afrimin e PD me PDR si një shkrirje, pra si bërje njësh të dy partive të ndara nga një trung i përbashkët vite më parë, kryetari i PDR e karakterizoi procesin politik që sapo nisi jo si shkrirje, por përdori termin “fuzionim” për karakterizimin e tij. Ky term i marrë nga kimia fizike është përdorur fillimisht për të përshkruar procesin e bashkimit, depërtimit te njëra-tjetra të bërthamave të atomeve dhe u bë shumë i njohur si i tillë, pasi u përdor për fuzionimin e bërthamave të atomeve hidrogjen në procesin e krijimit të bombës bërthamore me hidrogjen. Më vonë ky term u përdor edhe për të përshkruar më shumë se bashkimin, deri unifikimin apo bërjen njësh të dy partive politike me diferenca ndaj njëra-tjetrës dhe mbi këtë bazë edhe formimin e një partie të re, cilësisht të ndryshme nga dy partitë e fuzionuara. Pra, në politikë, termi fuzionim është përdorur për të përshkruar formimin e një partie të vetme nga dy parti të ndryshme nga njëra-tjetra, por me kushtin që cilësitë e tyre të jenë komplementare dhe si të tilla, kur të bëhen pjesë e trupit të së njëjtës parti, kjo e fundit fiton menjëherë veti të reja, mision të ri, bëhet menjëherë cilësisht e ndryshme nga të dy partitë e mëparshme, prandaj pothuajse gjithmonë merr edhe një emër tjetër. Në këtë pikëpamje termi “fuzionim” ka një përmbajtje shumë më të gjerë se termi “shkrirje” i përdorur nga drejtuesit e PD, prandaj edhe nga media. Në sfond rutinor, termi “shkrirje” u përdor për të dhënë përshtypjen e marrëdhënieve që dikur kanë qenë të ngrira dhe tani po ngrohen, po shkrihen, duke i afruar partitë me njëra-tjetrën. Në një kuptim më të gjerë, më logjik, pra në maksimumin e informacionit të tij, termi “shkrirje” u përdor për të përshkruar procesin e bashkimit jo të gjërave të ndryshme, përkundrazi, të gjërave absolutisht pa diferenca. Prandaj madje ja pse po ndodh edhe kjo shkrirje midis tyre, pra midis PD dhe PDR. Sepse këto dy parti i kanë eliminuar diferencat e krijuara në vite, ato diferenca “të mallkuara” që i ndanë një ditë, por që tani nuk janë më dhe pikërisht për këtë po ndodh edhe ky bashkim, për të cilin nuk mund të përdoret term tjetër veçse termi i fortë shkrirje. Drejtuesit e PD, duke përdorur termin shkrirje për të karakterizuar bashkimin me PDR në momentin që janë shuar diferencat, e para, pranojnë se ka pasur të tilla më parë dhe e dyta, nënkuptojnë, madje e quajnë fare të natyrshme, që struktura politike pas bashkimit është po ajo që është sot, misioni i njëjtë, idetë e njëjta, programet e njëjta, niveli i demokracisë i njëjtë, stili i qeverisjes i njëjtë. I njëjtë me kë? Është jashtë çdo dyshimi që duhet të jetë i njëjtë me ekzistuesen, pra i njëjtë me qeverisjen e PD, i njëjtë me nivelin e demokracisë në PD, i njëjtë me vetë PD. Thjesht, nuk ka parti politike të re të formuar nga kjo shkrirje, nuk ka as PDR. Ka thjesht PD, sikur PDR të mos kishte ekzistuar kurrë. Janë të gjitha shenjat që ky është edhe botëkuptimi i PD mbi bashkimin, të cilin e karakterizon si shkrirje dhe që është gati ta paketojë dhe ta nisë nëpër rajone, njësi administrative, të punësuar rrethesh, struktura partiake të paazhornuara prej vitesh, ta parashutojë nga ajri si një ushqim politik të nevojshëm për ta mbllaçitur sa më gjatë, mundësisht deri në zgjedhjet e ardhshme.

Tinëzisht, megjithatë, për karakterizimin e shndërrimit në një të dy partive futet termi “fuzionim”, dhe jo nga kushdo, por nga kryetari i ish-PDR. I lodhur nga lufta politike brenda ish-partisë së tij, i lodhur nga intrigat e pa fund, nga përdorimi i gjatë i mjeshtërisë së ndarjeve duke i shtyrë të tjerët jashtë partisë dhe duke mos ia lëshuar kurrkujt vulën e saj, i mbetur pothuajse fillikat vetëm, pa votues por edhe pa kolegë partiakë, i zhytur në mëkatin e shkatërrimit të universiteteve dhe më gjerë, kryetari i ish-PDR nuk mund të thoshte më që kemi diferenca me PD, sepse ndryshe nuk do të justifikonte shkrirjen sipas konceptit të PD. Prandaj ai nuk pati asnjë mundësi të kërkonte më shumë, të kërkonte atë që vetë termi fuzionim e përmban: formimin e një partie cilësisht të re pas bashkimit. Kjo do të ishte shumë për të në këto kushte. Pavarësisht nga kjo, ai arriti një sukses të madh, sepse mundi ta shiste shumë shtrenjtë partinë e tij, PDR, këtë parti pa votues. Madje, kjo shitje, në këtë dreq tregu politik në Shqipëri, ishte një shitje spektakolare, pothuajse e paimagjinueshme. Megjithatë, dikush duhet ta ketë mësuar kryetarin e ish-PDR, ose kjo mund të jetë pjesë e edukatës së tij, që edhe kur gjendesh në majën më të lartë të suksesit, lë diçka për nesër, lë diçka që të të shërbejë kur të fillosh të rrëzohesh nga ajo majë ku je ngjitur sot. Dhe ai la termin fuzionim, thjesht, që nesër të thotë se ai i lajmëroi të gjithë se kishin diferenca me PD përpara afrimit, diferenca që ai nuk mund t’i thoshte atëherë, por kishte pritur një kohë tjetër. Madje kishte luftuar gjithë kohës që këto diferenca, si përfitime, t’ia fuziononte edhe “bërthamës” së PD, duke u munduar ta ndryshojë atë, ta demokratizonte, të krijonte një cilësi të re te ajo, madje edhe pa ia ndryshuar emrin, madje edhe kur PD s’e kuptonte atë. Në monologun e tij, kryetari i ish-PDR do të tregojë se kishte bërë gjithçka që duhej. Madje më shumë, e kishte paralajmëruar nëpërmjet termit fuzionim, për herë të parë të futur prej tij në terminologjinë e politikës shqiptare, atë që do të bënte në të ardhmen, megjithëse ata të PD... dhe këtu pason boshllëku në monologun e tij, i lënë gati për t’u mbushur kur t’i vijë koha me sharjet e dikurshme për njerëzit e veriut..., pra, megjithëse ata të PD nuk e morën vesh kurrë se çfarë doja të thoja me këtë term.

. . .

Në procesin e afrimit të PD me PDR mbeten disa pyetje esenciale, të cilat besoj që janë në kokën e shumë njerëzve. Përgjigjja ndaj tyre ka një rëndësi jo të vogël politike dhe morale për PD, veçanërisht për të ardhmen e saj, jo vetëm atë të afërt.

Pyetja e parë ka të bëjë me atë, nëse janë eliminuar sot, fshirë apo jo, ato diferencat që e shtynë kryetarin e ish-PDR të largohej nga PD dikur dhe të formonte një parti të re. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje po i referohem një shkrimi që kam bërë për këtë çështje në vitin e ndarjes me PD dhe formimit të PDR. Në fakt, ai ishte një konflikt. Ata që u vetëquajtën reformatorë, akuzuan kryetarin e PD dhe PD përkatësisht si autoritarist dhe si parti konservatore në mentalitet. E gjithë çështja në thelb qëndronte te mënyra se si përdorej pushteti brenda kësaj partie. Pothuajse të gjithë reformatorët e akuzuan kryetarin e PD se kishte akumuluar pushtetin në duart e tij dhe strukturat e partisë pothuajse ishin tharë. Ata nuk thanë një gjë të re. E re ishte se ata e artikuluan këtë qëndrim në një kohë kur presioni ndaj PD kishte arritur një fuqi asgjësuese, ai i brendshëm dhe ai i jashtëm, çka në fakt zbuloi të vërtetën e trishtueshme që qëllimi i tyre nuk ishte dhe nuk ka qenë asnjëherë reformimi i PD, por marrja e saj nën kontroll. Kjo u vërtetua në shumë mënyra në krejt jetën e PDR, në pjesëmarrjen e saj në qeverisje, madje edhe në qëndrime personale të mbajtura ndaj kryetarit të PD. Kështu, grindjet pa mbarim për kontrollin e vetë PDR janë një shenjë se si drejtuesit e saj e konceptojnë partinë. Veçanërisht mënyra se si kryetari i ish-PDR drejtoi arsimin dhe shkencën në Shqipëri është në thelb një keqpërdorim tragjik i pushtetit të këtij sistemi për të forcuar pushtetin e tij personal dhe të partisë së tij. Shembulli që ai dha në qeverisjen e sistemit të arsimit dhe shkencës në Shqipëri do të mbetet një njollë e zezë në historinë e politikës post-diktatoriale. Konflikti arriti kulme edhe në personalizimin e urrejtjes, çka tregonte qartë që reformatorët kishin vendosur me çdo kusht të kontrollonin PD nëpërmjet eliminimit politik të kryetarit të saj. Nënkryetari i ish-PDR, z. Shehu, në një intervistë të atëhershme, për të treguar epërsinë sipas mënyrës së tij, tha që kryetari i PD vjen nga anonimati, në dallim prej tij që vjen nga një familje e sërës. ǒka ndryshuar sot, pra? Asgjë, pushteti i PD është përsëri i akumuluar në duart e kryetarit të saj dhe si asnjëherë tjetër, qeverisja. Origjina e familjes së kryetarit të PD është po ajo, nga Tropoja dhe jo nga Gjirokastra e zotit Shehu, sigurisht. Shkaqet e ndarjes janë po aty ku kanë qenë, edhe sot, në ditën e “shkrirjes”, por jo të “fuzionimit”. Prandaj gjithçka të duket sikur funksionon sipas asaj që, nëse nuk ia kafshon dot dorën dikujt, atëherë lëpija. Kafshuesit në potencë, të parealizuar, pra lëpirësit, janë sigurisht drejtuesit e ish-PDR.

Pyetja e dytë ka të bëjë me atë nëse, pavarësisht se duket të jetë pa një bazë morale, të paktën bashkimi PD dhe PDR a ka natyrë pragmatiste, pra a çon ai në forcimin e partisë përfundimtare, d.m.th., në forcimin e PD. E kam përmendur edhe në një shkrim të mëparshëm që pragmatizmi i vendosjes në aleancë qeverisëse të dy forcave politike, aq më shumë kur ato shkrihen, matet nga sinergjizmi që krijon, pra nëse ai bashkim është strukturuar me forca politike, interesat e të cilave nuk bien ndesh me njëri-tjetrin, mbështeten mbi modele demokratike që origjinojnë nga të njëjtat rrënjë, që nuk e dobësojnë, përkundrazi, e forcojnë partinë, rritin energjinë demokratike të saj, dhe në fund të fundit, grumbullojnë më shumë votues, rritin mbështetjen popullore të partisë. Janë të gjitha shenjat, të gjithë treguesit, se PDR vjen në këtë bashkim pa votues, me një kontribut qeverisës ekzaktësisht se si nuk duhet të ishte dhe ç’është më e keqja, me një moral politik të leckosur. Janë të fiksuara në memorien e shumë demokratëve pozat e të ashtuquajturve reformatorë në mbrojtje gjasme të demokracisë dhe se si bënë gjithçka për të eliminuar politikisht PD në ditët më të zeza të saj. Në qoftë se kësaj i shtohet edhe qeverisja e PDR në arsim, veçanërisht përdorimi i saj për të rekrutuar anëtarë për PDR në kurriz të anëtarëve të PD, bashkimi i dy partive jo vetëm që nuk do të shtojë, por përkundrazi, do të rrudhë më tej bazën e votuesve të PD, të cilët te vota kundër do të shprehin përbuzjen e tyre ndaj këtij bashkimi të pamoralshëm.

. . .

Në thelb, bashkimi i dy partive nuk është fuzionim dhe ky është thjesht një term i përdorur në mënyrë spekulative për karakterizimin e këtij afrimi, që në fakt është bashkim i dy strukturave politike që janë ekzaktësisht në gjendjen që kanë qenë në kohën e ndarjes. Janë të pranishme të njëjtat shkaqe, përmes të cilave reformatorët u individualizuan dhe formuan PDR. Por këto shkaqe nuk prodhojnë diferencë më midis PD dhe PDR, përkundrazi, të dy partitë janë shndërruar në identike. E para, sepse kryetari i PD ruan ende të njëjtin qëndrim ndaj pushtetit, si brenda saj, ashtu edhe në qeverisje dhe e dyta, sepse drejtuesit e PDR, që prej krijimit të saj, kanë patur kohën e mjaftueshme për të dhënë prova që sa herë i ka rënë pushtet në dorë, e kanë zhvatur, përqendruar, duke përjashtuar njerëzit, konkurrentët dhe shoqërinë nga përdorimi i tij. Në thelb, pra, ekziston i njëjti stil qeverisjeje, i njëjti nivel demokracie. Kjo është arsyeja pse PD dhe PDR nuk janë fuzionuar, por realisht janë shkrirë, si dy pjesë të të njëjtit material, të së njëjtës substancë. Prandaj është sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të mos kishim asnjë lajm nga fronti i politikës. Ndoshta do të kemi në të ardhmen, kur të bëhet e qartë se pse u pranua ky sinergjizëm negativ politik, pse kryetari i PD pranoi të “shkrihet” me dikë që nuk e forcon, përkundrazi, e zvogëlon bazën mbështetëse të PD te votuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›