E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja britanike e Shtetit: E rëndësishme të ketë zgjedhje të lira

 

Kryetari socialist Edi Rama po zhvillon një vizitë disa ditore në Britaninë e Madhe me ftesë të Ministrisë së Jashtme Britanike Foreign and Commonwealth Office. Gjatë ditës së parë të kësaj vizite kryetari socialist është pritur nga Ministrja e Shtetit për Europën Znj. Caroline Flint. Në qendër të këtij takimi, ka qenë reforma zgjedhore në Shqipëri, e cila duhet ti hapë rrugë përgatitjes së infrastrukturës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Kreu socialist e ka njohur ministren britanike për të gjitha zhvillimet që janë bërë për reformën zgjedhore dhe rolin që PS ka kryer në këtë proces, tani që Kodi zgjedhor ndodhet në fazën e tij përfundimtare. Ky takim është konsideruar nga palët si një mundësi e mirë për t'u informuar e për të vlerësuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme elektorale që priten të mbahen në Shqipëri. Gjatë takimit, Znj Flint ka shprehur besimin e saj se Shqipëria do vazhdojë të bëjë një politikbërje të matur. Duke e parë kodin zgjedhor si hapin e parë për zgjedhje të lira dhe të ndershme i cili do të sjellë një parlament legjitim, Ministrja e Shtetit për Evropën në Britaninë e Madhe ftoi forcat politike të miratojnë sa më parë Kodin Zgjedhor. Në këtë takim Znj. Flint falënderoi dhe vlerësoi rolin e opozitës dhe kryetarit socialist për anëtarësimin në NATO. Me një ftesë drejtuar politikës shqiptare Ministrja britanike për Europën, tha se Kodi Zgjedhor duhet të miratohet sa më parë në mënyrë që të kalohet në fazën më të rëndësishme atë të implementimit të tij. Gjatë këtij takimi, Ministrja e shtetit për Evropën në Britaninë e Madhe Znj. Flint vuri theksin tek rëndësia që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Shqipërinë, si një kusht për proceset integruese të vendit. Kryetari i PSSH, Edi Rama vlerësoi gjithashtu gjatë këtij takimi rëndësinë që kanë për të dhe Partinë Socialiste zgjedhjet e ardhshme. Rama nënvizoi rëndësinë e përgatitjes sa më parë të infrastrukturës zgjedhore, duke veccuar elementët themelorë, Regjistrin kombëtar Civil, Kartat e Identitetit dhe Pasaportat Biometrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›