Ja faksi i Aldo Bumçit për Shkëlzen Berishën
Ky është faksi i shumëpërfolur që është nisur nga zyra e Aldo Bumçit drejt faksit të Ministrisë së Mbrojtjes në datën 13 mars 2007. Në të djathtë sipër shikoni një numër protokolli. Ai është numri i protokollit, me të cilin një zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes ka protokolluar faksin dhe e ka çuar në protokoll duke e quajtur shkresë zyrtare. Në të vërtetë ajo ishte një shkresë e dërguar me nxitim paraprakisht për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
Te koka dallohet qartë numri i faksit të Aldo Bumçit. Majtas lart është dhe shënimi për Shkëlzen Berishën, që mendohet se e ka vënë sekretarja e Aldo Bumçit ose një zyrtar i tij, i cili e ka patur urgjente t’ia dërgonte këtë shkresë Ministrisë së Mbrojtjes me faks, ndërsa me postë ka mbërritur dy ditë më vonë.
Faksi është dërguar më 13 mars, kur Aldo Bumçi ishte ende ministër, por që kishin nisur ndryshimet, ndërsa ministri i ri, Ilir Rusmali, ka shkuar në zyrë më 21 mars.
Përmbajtja e faksit është normale dhe rekomandon thjesht që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit. Urgjenca me të cilën është kërkuar dhe se cili është pritësi i saj dëshmojnë se ku raportonin ministrat dhe kush ishte i interesuar për Gërdecin.
Prokuroria e ka sekuestruar faksin gjatë kontrollit për dokumentacion në Ministrinë e Mbrojtjes.
Mësohet gjithashtu se ka informacione që disa zyrtarë të disa ministrive ruajnë dhe sms të Shkëlzenit që iu ka kërkuar ndihmë për komentet mbi ligjin. Bëhet e ditur se këto i kanë thënë në prokurori të pyeturit rreth kësaj dosjeje.