E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Konventa e Jashtëzakonshme, nisin protestat kundër Ramës e Berishës

Nga L.Progni

Kryesia e LSI ka vendosur të thërrasë sot Konventën e Jashtëzakonshme për të vendosur rreth lëvizjeve politike që kjo parti do të ndërmarrë për shkak të marrëveshjes ndërmjet PS e PD për Kodin Zgjedhor, e kundërshtuar nga LSI. Në mbledhjen e sotshme të konventës pritet të miratohet vendimi i Kryesisë, sipas të cilit LSI fillon protesta masive në të gjithë vendin, si dhe bllokimin e parlamentit deri në rivendosjen e legjitimitetit të votës së lirë dhe demokracisë në vend. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, tha dje se Rama e Berisha po kërkojnë që Shqipëria dhe shqiptarët të kthehen në skllevër të tyre. Sipas Vasilit, Rama e Berisha po fashistizojnë vendin, duke vjedhur votën e shqiptarëve për interesat e pasurimit të shfrenuar të tyre dhe kastës që përfaqësojnë. Në vazhdim të akuzave të ashpra ndaj krerëve të dy partive kryesore, Rama e Berisha, Sekretari i Përgjithshëm i LSI u shpreh dje se dyshja Rama-Berisha është duke zbatuar parimin stalinist: “Nuk ka rëndësi kush, voton rëndësi ka kush numëron votat”, ashtu siç kanë bërë edhe me votimet në partitë e tyre. Me deklarata mjaft kërcënuese, Vasili tha se LSI do të luftojë me të gjitha mjetet për të bllokuar parlamentin, deri në momentin kur krerët e dy partive do të kthejnë marrëveshjen për Kodin, e cila penalizon LSI duke e lënë jashtë komisioneve të numërimit të votave. “Ne jemi dhe do të jemi absolutisht të palëkundur, shumë të vendosur dhe pa kthim prapa në të gjithë veprimin dhe aksionin tonë të jashtëzakonshëm politik, sepse në këtë mënyrë jemi të bindur se i bëjmë një shërbim të madh për sot dhe për gjithë vitet që do të vijnë, jo LSI, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, i bëjmë një shërbim shumë të madh votës së lirë që është themeli i demokracisë, i bëjmë shërbim qetësisë dhe rendit ligjor të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, i bëjmë shërbim kauzës së shembjes së kastës kriminale që ka zënë për gryke jetën e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi”, - tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›