E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kosova, çështje e mbyllur

 

ADI SHKEMBI

Çështja e Kosovës tashmë është e mbyllur dhe s'mund të ketë më skenarë për ndarjen e saj. Ky është qëndrimi i Tiranës zyrtare i shprehur dje nga Presidenti Bamir Topi në takimin me homologun e tij kosovar, Fatmir Sejdiu. Në vizitën e tij të parë në vendin tonë si President i Kosovës së pavarur, Sejdiu u takua me kreun e shtetit shqiptar, Kryeministrin Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli si dhe përshëndeti me një fjalim nga foltorja e Parlamentit. Pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, ku u prit nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Presidenti Sejdiu zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin Topi në Pallatin e Brigadave, që u pasua nga takimi mes delegacioneve. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Topi u shpreh: "Në mënyrë të padiskutueshme, pozicioni i Shqipërisë, i popullit shqiptar, i institucioneve të Shqipërisë, është që çështja e Kosovës është një çështje e cila konsiderohet e përfunduar nga pikëpamja e njohjes, e konstituimit të saj. Nuk mund të ketë më rikthim te çështjet e vjetra, nuk mund të ketë skenar për ndarje të Kosovës". Duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve, kreu i shtetit shqiptar tha se, "jam i bindur që rruga që lidh Durrësin me Morinën, me Kosovën, do të jetë një rrugë që do t'i shërbejë edhe popujve të tjerë, sepse sot sikurse thashë, e ardhmja nuk i përket thjesht marrëdhënieve midis dy vendeve tona, por marrëdhënieve shumë komplekse që ekzistojnë midis vendeve dhe popujve të Ballkanit, të cilët do të jenë patjetër nesër shumë afër të gjitha standardeve qoftë politike, ekonomike dhe shoqërore në kontinent, ku ne kemi bërë pjesë historikisht". Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu vlerësoi kontributin e Shqipërisë për gjithë ndihmesën që i ka dhënë Kosovës për pavarësinë dhe lobingun për njohjen e saj. "Një falënderim shumë të veçantë për mbështetjen që i keni dhënë në radhë të parë lirisë njerëzore, ose ajo që është fundamenti i ekzistencës së qenies njeri dhe të shpreh falënderimin e madh për mbështetjet e veçanta që i keni dhënë Kosovës në procese të tjera të ndërtimit të saj si shtet demokratik dhe sovran", theksoi Sejdiu. Gjatë takimit në Pallatin e Brigadave, kreu i shtetit të Kosovës u dekorua me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Më pas Sejdiu u takua me Kryeministrin Sali Berisha. Kreu i qeverisë tha në deklaratën e përbashkët me Presidentin e Kosovës se "në mënyrë të veçantë shpreha kënaqësinë e madhe për njohjen e fundit të shtetit të Kosovës, nga dy fqinjët tanë, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët kanë kontribut të pamohueshëm në pavarësinë e Kosovës, por edhe për njohje të tjera nga Portugalia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia".

Topi e Sejdiu sot në Rrëshen

Presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës do të udhëtojnë sot në mëngjes bashkë në verilindje të vendit për të parë nga afër punimet në autostradën e shekullit, Rrëshen-Kalimash. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës, sot në orën 08:30 dy krerët e shteteve do të jenë në Rreps, ku do takohen me përfaqësuesit e firmës dhe do shohin përparimin në ndërtimin e rrugës. Rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën konsiderohet si shumë e rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›