E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai serbo-boshnjak Fazlliç dhe zoti Sejdiu nga Kosova

Nga Tema

Antena brenda familjes

Kryeministri, Sali Berisha, nisi dje paradite përgatitjet për mocionin për debat rreth çështjes “Fazlliç”. Strategjia e tij ishte e qartë. Nuk do fliste për Fazlliçin, por do akuzonte opozitën për lidhje me krimin dhe mohim të arritjeve. Por botimi i faksit, ku ministri i Drejtësisë i raportonte djalit të tij për vendimin e Gërdecit, donte një zgjidhje.

Thirri së pari Enkelejd Alibeajn.

- Më thuaj Enkelejd, - tha, - si është puna e faksit?

- Je në rregull, - i tha Enkelejdi. - Ata kanë faksin, ne kemi origjinalin. Ne origjinalin e kemi nisur me postë, kurse faksi është fotokopje e nisur me urgjencë, se e kërkoi Shkëlzeni një ditë para se të merrej vendimi në qeveri.

- Kur është marrë vendimi në qeveri?

- Është marrë më 14. Më 13 Shkëlzeni mblodhi gjithë komentet nga Drejtësia, Financat dhe Mbrojtja dhe m’i solli mua. Rakorduam dhe pastaj sipas porosisë tënde bëra vendimin.

- D.m.th., unë të them që faksi është fals?

- Thuaje, por është pak me zarar, se e ka protokolluar Fatmiri pa dashje dhe e ka marrë prokuroria. Por ne bëjmë sikur s’kemi punë me të. Oketës i themi të mos bëjë deklaratë, se është çështje në hetim, ne vetë themi kemi origjinalin.

- Shumë mirë, kështu po e bëj.

Pasi doli Alibeaj, thirri Oketën.

- Si ka ndodhur që është protokolluar faksi i Shkëlzenit? - tha.

- Është një sekretare budallaqe atje te fakset. Sa ka ardhur faksi dhe thuhej për Shkëlzen Berishën, ajo s’ka gjetur zyrë të tij, i ka fut një numër protokolli dhe e ka çuar në protokoll. Pastaj ajo e protokollit ka gjetur dhe shkresën origjinale dhe i ka bërë bashkë. Po se kush ka spiunuar në prokurori dhe, kur erdhën ata, e gjetën. Dhe na e kanë marrë. Unë nuk them dot që s’më ka ardhur ky faks, se është i protokolluar. Unë po them që nuk flas, se çështja po hetohet.

- Mirë, ashtu thuaj. Madje thuaj mua më ka ardh, po nuk e di se nga.

I kënaqur dhe nga këta, thirri Flamurin.

- Flamur, ka ardhur ky presidenti i Kosovës, sot. Vër ndonjë flamur Kosove nëpër rrugë. Duhet ta respektojmë, se është burrë i mirë. Me kosovarët kemi marrëdhënie të vjetra miqësore. Duhet t’i nderojmë. Por unë jam i zënë, se do bëj një fjalim për të mbrojtur Fazlliçin. E kam mik për kokë. Po përpiqen të tregohen racistë ndaj tij, se është miku im. Dhe Fatmirin e du, kam respekt, por Fazlliçin e du shumë. Është një serbo-boshnjak i rrallë. Nuk them që Sejdiu s’është burrë i mirë, por Fazlliçi është i pakrahasueshëm. Vëni ndonjë flamur për të, se nuk do mbaj as fjalë për të në Kuvend dhe mos bie në sy për keq. Është burrë i mirë. Po ti e kupton, unë s’mund të mbroj dhe kosovarët, dhe serbët në të njëjtën seancë. Për njërin do flas. E kam nda mendjen që do flas për Fazlliçin sot, s’kam ç’bëj.

- Patjetër, mos u bë merak. E presim ne si duhet Sejdiun. Ti shiko na ndero me Fazlliçin. Se ajo i tërbon këta të opozitës. Se çfarë s’kanë thënë për ty. Jo nacionalist, jo do Shqipërinë e Madhe, çfarë s’kanë shpikur. Tani tërbohen, kur ti mbron një serbo-boshnjak dhe nuk përshëndet Sejdiun. Se ua djeg argumentet kështu. Ngelen pa argumente.

- E kam mendu këtë, Flamur. Tani ik vërë flamurët. Se po përgatitem për Fazlliçin. Do t’u bëj një fjalim të mos e harrojnë kurrë. Që kur t’i zënë emrin në gojë Fazlliçit, të dridhen. Se unë s’i braktis miqtë rrugës. Ka qenë në besë time ai këtu, s’mund të ma fusin në burg këta. Se ai djali që tha ka qenë në besë të tij është nxituar, në besë time ka qenë. Unë e ftova. Nuk e tradhtoj unë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›