E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjë në rregull

Arsyet e Termokosit se nuk ka mazut për të ngrohur kryeqytetin në dimrin e kaluar, i ka përgënjeshtruar raporti i Auditorit Gjeneral për vitin e fundit.

Në raport shkruan se Termokosi ka harxhuar me mijëra tonë më shumë mazut krahasuar me vitin e kaluar dhe ka ngrohur shumë më pak metra katrorë gjatë kësaj kohe. Për këto, hedhin dyshimet e tyre se mazuti ka mundësi të jetë keqpërdorur. Për këtë, auditorët kritikojnë se pse nuk ka asnjë kontroll në regjistrin e sasisë së djegur dhe nuk ka asnjë raport, e as rregull në mbikëqyrjen a kontrollin e matjes së djegies së mazutit.

Gjendjen në këtë segment të Termokosit e shohin si s`ka më keq. Për këtë, ata i rekomandojnë Bordit të Drejtorëve ta shikojnë këtë çështje dhe ta zgjidhin këtë problem shpejt.

“Sipas gjendjes aktuale, menaxhmenti i Termokosit nuk ka kurrfarë kontrolli mbi sasinë e derivateve të shpenzuara. Ndryshimi kaq i madh në shpenzimin e sasive është mjaft indikativ dhe si i tillë i ka sjellë humbje të mëdha dhe të pajustifikueshme biznesit”, thuhet në njërin nga konkluzionet e raportit. Pos kësaj, Auditori flet edhe për shumë të zeza të tjera që i kurdis ky menaxhment. Pothuajse asgjë nuk ka parë në rregull.

Auditori flet për një numër të të punësuarve përtej masës, që ka ndikuar seriozisht në keqësimin e gjendjes financiare të kësaj ndërmarrjeje publike. Gjatë vitit 2009, zbulohet se Termokosit i është subvencionuar nga BKK’ja një vlerë prej 1 milion e 593 mijë eurosh, për blerjen e mazutit dhe 205 mijë euro për investime kapitale. Në marrëveshje për marrjen e këtij subvencionimi, ka qenë e paraparë që Termokosi të bëjë një llogari të veçantë për shfrytëzimin e kësaj shume, gjë që nuk e ka bërë.

“Dhe mosrespektimi i marrëveshjes nga ana e Termokosit, rrit rrezikun se mjetet e destinuara për projektet e sipërpërmendura mund të jenë shfrytëzuar për qëllime të tjera”, tregon raporti. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje ka bërë alamet shkeljeje edhe në kontratat që i ka bërë për këto furnizime. Bile në furnizimin me mazut, nuk është respektuar llogaritja e çmimit në bazë të çmimit mesatar sipas lëvizjeve të Pllat`s Mediteran, siç ka qenë e obliguar, por duke u bazuar në çmimin e importit të pasqyruar në DUD doganor.

Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje, në një kontratë tjetër për ndërtimin e pusetave, ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 43 mijë eurosh, e ka bërë pagesa në vlerë prej 53 mijë eurosh, pa asnjë arsyetim.

E marifeti më i çuditshëm për auditorët ka qenë humbja e një veture Pezho. Në regjistrat e aseteve figuron një veturë Peugeot 407, e në fakt ajo kurrë nuk është furnizuar me karburante. “Për më tepër, ekzistenca e veturës PEZHO nuk është konfirmuar”, thotë raporti i Auditorit. Ndërmarrja e Termokosit edhe më herët ka qenë e njohur për raportet e bujshme me keqpërdorime dhe keqmenaxhim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›