E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjesimi i municioneve, qeveria përcakton poligonet

Tiranë- Këshilli i Ministrave ka përcaktuar sot territoret që do të përdoren për asgjësimin e municioneve, duke kaluar propozimin e projektligjit “Për përcaktimin e poligoneve për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Në të janë përcaktuar sipërfaqet, mënyrën si veprohet, largësinë nga zonat e banimit dhe formën në raste dëmtimi gjatë demontimit. Sipas projektligjit poligonet për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura janë parashikuar:

a) Poligoni “Livadhet e Hamzit”, Pukë;

b) Poligoni “Shën Noi Madh”, Bizë;

c) Poligoni “Zgarë”, Librazhd;

ç)Poligoni i Shënmrisë, Gramsh;

d)Poligoni “Përroi i Bigazit”, Skrapar;

dh) Poligoni “Fushë Roshaj”, Voskopojë;

e)Poligoni i Trajlarit, Këlcyrë;

ë)Poligoni “Jubë”, Sukth, Durrës.

Sipas vendimit, këto poligone mund të përdoren edhe për asgjësimin e municioneve të Policisë së Shtetit dhe të municioneve, të kapura e të grumbulluara nga kjo polici. Asgjësimi i municioneve, për këtë rast, do të bëhet sipas një marrëveshjeje, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.

Sipërfaqja e territorit të poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës së asgjësimit të tyre, administrohet nga Ministria e Mbrojtjes.

“Ndërtimi i objekteve ushtarake, të përkohshme dhe të përhershme, brenda territorit të poligoneve dhe brezit të sigurisë bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm me miratimin paraprak të ministrit të Mbrojtjes”- theksohet në të.

Bashkë me poligonët janë përcaktuar edhe zonat ku ndalohet asgjësimi; në det, jashtë kufirit shtetëror, dhe jo më afër se 4 km nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës, nga qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënujore, monumentet e natyrës, monumentet e kulturës, të kategorisë I e II, si dhe në zonat e tyre të mbrojtura, në korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil, në hapësirën ajrore të vendit.

Para asgjësimit, njësitë përkatëse të Forcave të Armatosura, njoftojnë organet e qeverisjes vendore 30 ditë përpara aktivitetit. Kurse pushteti vendor, është i detyruar që brenda 5 ditëve nga data e marrjes së e njoftimit, të bëjnë njoftimin e popullsisë përrreth.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›