E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet mjeti, arrestohet efektivi i kufirit

Vlorë- Nje efektiv i drejtorisë së kufirit në Vlorë është vënë në pranga, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas të dhënave që jep policia, i arrestuar është 43-vjeçari, Pajtim Shpata. Shkak për arrestimin e tij është bërë vjedhja e nje automjeti në pikën e bllokimit në Radhimë, ku edhe efektivi kryente shërbimin.

“Arrestimi është bërë nga bashkëpunimi i strukturave të SHKB me prokurorinë e Vlorës në zbatim të urdhrit të nxjerrë për masën e sigurisë së nxjerrë nga gjyqësori i Vlorës”- thanë burimet e policisë, duke sqaruar se shkak ka qenë vjedhja e një automjeti në pikën e SML në Radhimë.

Shpata shërben në këtë pikë prej kohësh si strukturë e drejtorisë rajonale të kufirit dhe migracionit në Vlorë. Sipas të dhënave që bën me dije zëdhënësja e policisë mjeti i vjedhur ka qenë në ruajtje në pikën e bllokimit të mjeteve që ndodhet në Radhimë.

Pas hetimeve që ka bërë SHKB, ka rezultuar se mjeti është vjedhur teksa ka qenë me shërbim efektivi. Gjithcka është dokumentuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që hetimet i kanë kaluar prokurorisë së Vlorës.

Në pikën e SML në Radhimë, ku ndodhen të bllokuara mjete lundruese të tipit gomone e skafe, prej katër vjetësh ndodhen edhe automjete te bllokuara si ka të tilla në pikën e FNSH, rezervat e shtetit dhe në Triport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›