Gomonia me 115 kg hashash, tre në pranga
Tiranë- Policia ka vënë në pranga tre persona të akuzuar si transportuesit e sasisë së dorogës me destinacion italianë, sekuestruar në fundjavë në një gomone. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se operacioni për ndalimin e tyre ka qenë në bashkëpunim mes policisë së Tiranës dhe asaj të Vlorës dhe është finalizuar pak më parë.
”Janë arrestuar shtetasit, Aranit Bida, 32-vjeç, lindur në Levan Fier e banues në Fier, i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes; Blerim Beqiraj 34 vjeç, lindur e banues në Mallakastër; Avni Dhrami 42 vjeç, lindur e banues në Vlorë”- thanë të njëjtat burime, duke shtuar se ata do të dëshmojnë për detaje rreth trafikut dhe për të zbuluar nëse ka të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet.
Sekuestrimi i lëndës narkotike u bë mesnatën duke u gdhirë e shtuna e shkuar, nga policia kufitare e qarkut të Vlorës. Mjeti lundrues është diktuar në orët e vona të natës, në hapësirën detare në jugperëndim të Gadishullit të Karaburunit. Focat e policisë mbërritën në vendin ku u diktua gomonia dhe e sekuestruan atë në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që pas peshimit lënda narkotike rezuloi të ishte plot 115 kg.
“Gomonia ka një gjatësi 4.5 metra dhe u diktua nga policia kufitare e cila, e mbështetur dhe nga forcat e Repartit Antitrafik Delta Force, u vu në ndjekje të saj, për ta bllokuar pas një operacioni që zgjati më shumë se një orë”- thanë burimet e policisë.
Dyshimet e para, sipas policisë flasim për një destinacion të mundshëm vendin fqinj, Italisë.
Bllokimi u bë vetëm pak orë pas një operacioni të nisur në bashkëpunim mes forcave të policisë, të koduar me emrin “Deti i Pastër”, që synon kontrollin e mjeteve lundruese për të shmangur trafikun njerëzor, por edhe atë të narkotikëve.