Skrapar, zbulohen 90 arka me fishekë
Skrapar- Një sasi e madhe fishekësh janë gjetur sot në një godinë të braktisur në Skrapar. Sipas burimeve të policisë, mësohet se janë gjetur 90 arka të mbushur me fishekë të tipit 7.62 mm, që përdoreshin për automatik kallashnikovë.
“Sasia e fishekëve është zbuluar rastësisht nga persona që kanë qenë duke ruajtur bagtitë në afërsi të një përroi, në fshatin Orizaj”- thanë burimet e policisë.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, menjëherë pasi është njoftuar nga banorët që kanë parë arkat metalike me fishekë. Arkat janë transportuar në ambientet e komisariatit të policisë. Pas numërimit, rezultoi se nëpër arka kishte më shumë se 68 mijë copë fishekë, të modelit kinez dhe sovjetik.
Nga kqyrja e tyre, mendohet se ata janë fshehur gjatë vitit 1997, por burime nga vendi ku janë gjetur fishekët kanë pohuar se sasia e gjetur në këtë zonë është transportuar me makinë.
Ende nuk ka asnjë autor të dyshuar për këtë sasi fishekësh të gjetur, por mësohet se policia është në hetim e sipër. Ky është i treti rast brenda vitit, që gjendet sasi municionesh në godina të braktisura.