E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, rregullat për kuotat e paplotësuara

Tiranë-Tjetër shans për ata maturanë që nuk përfituan nga regjistrimet e para në universitetet e vendit. Pas rishpërndarjes së rreth 4 mijë kuotave të mbetura bosh, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar udhëzimin për regjistrimet e reja në shkollat e larta, përcaktimin e hapave që duhen ndjekur, deri në shpalljen e fituesve finalë në datën 5 tetor.

Kandidatët që kanë të drejtë të regjistrohen, janë ata që përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve (APRIAL), në bazë të dy parimeve: të meritës, pra në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të “Maturës Shtetërore” dhe parimit të vullnetit të kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A3.

Sipas udhëzimit të fundit, të drejtën për plotësimin e formularit A3 e kanë;

1. kandidatët që nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009.

2. Ata që janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009;

3. Ata që janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2008-2009 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi;

4 Ata që kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007 dhe 2008 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit nëInstitucionet publike të Arsimit të Lartë;

5. Ata që kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2008 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2007 ose 2008.

“Në formularin A3 janë të gjitha kuotat e rishpërndara nëpër universite, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit”- thuhet në udhëizmin e MASH-it.

Ky formular, do të tërhiqet nga të interesuarit nëpër DAR/ZA dhe në APRIAL për t’u plotësuar më pas.

Drejtoritë duhet të tërheqin formularin në datën 21 tetor 2008. Për të mos krijuar radhë pritjeje është bërë edhe një ndarje për ditët në të cilat duhet të paraqiten të interesuarit.

“Kandidatët që nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve duhet të paraqiten në drejtoritë përkatëse në periudhën 22 -26 tetor 2008 për të tërhequr Formularin A3”- theksohet në udhëzim. Ndërsa gjithë pjesa tjetër e kandidatëve duhet të paraqiten në datën 22 tetor në orën 18.00 për të tërhequr formularin.

Pasi të plotësohet nga të interesuarit, ky formular do të dorëzohet deri më datë 27.10.2008 dhe pas kësaj do t’i dërgohet agjencisë një ditë më pas.

Të dhënat e formularëve i përpunon asgjencia dhe në datën 5 tetor shpallet lista përfundimtare e kandidatëve, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

“Regjistrimi i kandidatëve fitues, bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë deri në datën 15.11.2008. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: dëftesë pjekurie; certifikatë lindje me fotografi; fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë”- theksohet në udhëzim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›