Problemet në Lazarat, policia: Kanë nisur procedimet
Gjirokastër- Të gjithë kultivuesit e bimëve narkotike në fshatin Lazarat dhe autorët e të shtënave në ajër janë të identifikuar dhe për ta kanë nisur edhe procedimet penale. Kështu ka deklaruar drejtori i policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni. Sipas tij zbatimi i ligjit edhe në këtë fshat ashtu sikurse në të gjithë territorin e qarkut përbën një prioritet të punës.
“Ne nuk kemi ardhur në Gjirokastër për t’i shpallur luftë ndonjë komuniteti të caktuar. Qëllimi ynë është zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe këtë duam të arrijmë edhe në Lazarat”- ka thënë ai, sot gjatë një komunikimi për shtyp.
Ai ka pranuar se në këtë fshat ka shumë probleme përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, krismave të pakontrolluara të armëve të cilat kanë vënë në rrezik banorët, qarkullimi i shumë automjeteve pa dokumentacion, përdorimi i adoleshentëve nga disa elementë të inkriminuar etj.
“Por kjo nuk do të thotë që do të penalizojmë të gjithë banorët. Ne në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit i kemi identifikuar këta persona të cilët janë në minorancë me banorët e ndershëm, për të cilët ka nisur procedimi penal dhe së shpejti do të kapen”, ka deklaruar kryepolici i Gjirokastrës.
Në këtë zonë, edhe ndërhyrja e fundit antikanabis u pasua me të shtëna nga banorët, në drejtim të policisë, ndërkohë që qytetarët e Gjirokastrës ankohen në mënyrë të vazhdueshme se gjatë orëve të natës dëgjojnë të shtëna