Kapet shqiptari që grabiti futbollistë e gazetarë VIP
ROME/ITALI
Një shqiptar, pje-sëtar i një bande që grabiste apartamente të personazheve "VIP" në Romë, u arrestua dje nga policia italiane. Shqiptari 33-vjeçar ishte identifikuar nga forcat e rendit të vendit fqinj, si një prej hajdutëve që "godisnin" herë pas here vila dhe shtëpi luksoze në pronësi të personazheve publikë, në pjesën veriore të Romës. Lajmi u bë i ditur ditën e djeshme nga agjencitë italiane të lajmeve. "D.V., 33 vjeç me kombësi shqiptare, u identifikua dhe ndalua nga forcat e rendit të Kuesturës së Romës, në kuadrin e operacioni policor kundër vjedhjes së apartamenteve", citonin dje mediat elektronike të vendit fqinj. "Pre" e vjedhjeve të shqiptarit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që sipas policisë italiane janë tre persona të tjerë tashmë në kërkim, kanë rënë personazhe të njohur të shoqërisë italiane. Ata i përkisnin sferave të ndryshme, artit, sportit dhe televizionit. "Shqiptari kishte kryer grabitje në shtëpinë e ish futbollistit të Lacios, Xhuzepe Sinjori, një vjedhje që për mënyrën e kryerjes dhe për shkak të disa detajeve të përbashkëta ishte pothuajse identike me atë të showman-it italian Renco Arbore", thuhej dje në mediat italiane. Ndërkohë që i grabitur nga shqiptari kishte përfunduar edhe një nga drejtuesit e TG1, Otavio di Lorenco. Bëhet e ditur se shqiptari është arrestuar në shtëpinë e tij në zonën e Kasale Lambrozos. Policia ka mbërritur në banesën ku qëndronte shqiptari duke ndjekur një emigrante rumune që transportonte disa objekte të vjedhura. Ndërsa nga jashtë banesa e shqiptarit kishte pamjen e një shtëpie të thjeshtë, brenda saj autoritetet policore italiane janë përballur me një luks të shfrenuar, për të cilin ishte "kujdesur" vetë 33-vjeçari, i akuzuar tashmë për dhjetëra vjedhje e grabitje banesash. Objekte të panumërta prej metalesh të çmuara prej ari dhe argjendi të vjedhura në apartamentet "VIP", mobileje të kushtueshme dhe një vaskë hidromasazhi, ndodheshin në shtëpinë e 33-vjeçarit. Sipas mediave italiane, shtëpia e shqiptarit ishte cilësuar si një "muze luksi", ndërsa duke iu referuar burimeve policore mësohej se në total vlera e sendeve të vjedhura arrinte në shifrën e 200 mijë eurove. Shtëpia e shqiptarit ka qenë e mobiluar në një mënyrë të ngjashme me atë të personazhit Toni Montana, të luajtur nga aktori Al Paçino në filmin "Scarface". Sipas policisë italiane, shqiptari vepronte me tre persona të tjerë të cilët për momentin janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për arrestimin e tyre. a.b