Asgjësohen shtatë parcela me kanabis, prangoset një kultivues
Asgjësohen 2046 rrënjë kanabis sativa, ndërkohë që policia ka bërë të mundur prangosjen e njërit prej kultivuesve. Katër operacionet antikanabis të organizuar në Krujë dhe në Gjirokastrës janë finalizuar me asgjësimin e shtatë parcelave me bimë narkotike, ndërkohë që është prangosur në flagrancë duke ujitur bimët narkotike një person që sipas policisë dyshohet që është kultivuesi i bimës narkotike në Krujë. Kështu, në kuadrin e operacioneve të organizuara, nga antidroga e Durrësit dhe policia e Krujës, gjatë kontrolleve të ushtruara në pyjet e Krujës mundën të evidentohen 4 parcela me bimë narkotike. Në fshatin Mafsheq të Komunës Cudhi në rrethin e Krujës, janë evidentuar në një zonë të pyllëzuar dy parcela të mbjella përkatësisht me 88 rrënjë dhe 258 rrënjë bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Policia nisi menjëherë punën për identifikimin e zotëruesve të këtyre parcelave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje. Ndërkohë, në kuadrin e një tjetër operacioni të nisur ditë më parë dhe të koduar "Kroi i Gjarprit" në një terren të pyllëzuar të fshatit Shqezë të së njëjtës komunë u gjetën dy parcela përkatësisht me 958 rrënjë bime në të parën dhe 645 rrënjë bime në tjetrën. Në të dyja rastet u bë asgjësimi në vend i 2173 bimëve të gjetura dhe nisën hetimet për veprën penale të kultivimit të narkotikëve. Ndërsa në Gjirokastër, në vijim të operacioneve antikanabis të koduar nga policia "Era e Jugut" dhe "Hija e Lisit" janë asgjësuar 233 rrënjë kanabis dhe është arrestuar në flagrancë 42-vjeçari, Ajet Shehu, i cili ka qenë duke ujitur bimët narkotike në momentin kur kanë ndërhyrë agjentët e antidrogës. Operacioni ka nisur mëngjesin e djeshëm në një nga kodrat e Levenit, midis fshatrave Arshi Lengo dhe Asim Zeneli, të rrethit të Gjirokastrës në vendin e quajtur Hija e Zezë". Parcelat me bimë narkotike janë gjetur në mes të shkurreve, përballë ish-repartit ushtarak të tankeve. Aty është bërë i mundur evidentimi i 3 parcelave të hapura rishtas për të kultivuar bimë narkotike të cilat ishin të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa .