Ndalohet shoferi i autobusit, kishte patentë false
Ndalohet drejtuesi i një autobusi të linjës interurbane Durrës-Tiranë, pasi zotëronte patentë të falsifikuar. Ditën e djeshme, seksioni i luftës kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ndaloi shtetasin Arben Rapo, 37 vjeç nga lagjja 8 e Durrësit. Sipas burimeve të policisë ai u ndalua pasi është kapur disa ditë më parë nga shërbimet e policisë duke drejtuar autobusin e linjës Durrës-Tiranë me targë DR 5785 C i pajisur me një leje drejtimi shqiptare, patentë e re, që rezulton të jetë e falsifikuar. Rapo nuk zotëron realisht dëshmi aftësie për drejtimin e automjetit dhe ka siguruar një false për të mundësuar punësimin e tij. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale patentën e Rapos, ndërsa ndaj tij nisën hetimet për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.