Asgjësohet banda e drejtuar nga shqiptarët, sekuestrohen 100 kg kokainë
ITALI – Shkatërrohet banda kriminale në Firence, pranga 32 personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar drogë. “Guardia di Finanza” e Firences ka bllokuar ditën e djeshme mbi 100 kg kokainë dhe ka vënë në pranga pjesëtarët e grupit, ku pjesa më e madhe e tyre mësohet të jenë shqiptarë.
Operacioni “Podgorica”
32 arrestime dhe mbi 100 kg kokainë e bllokuar. Ky është bilanci i operacionit policor të koduar “Podgorica”. Operacioni i koduar “Podgorica” ka shkatërruar një organizatë ndërkombëtare të trafikantëve kryesisht shqiptarë”, informon agjencia italiane e lajmeve ANSA, e cila nuk saktëson nëse të arrestuarit janë shqiptarë nga Shqipëria, apo nga Kosova, Mali i Zi, a Maqedonia. Policia po ekzekuton 32 urdhër-arreste me burg dhe operacioni është shtrirë në provincat e Firences, Pratos, Karreras, Breshias, Monzas, Modenas, Bergamos, Viçenzas dhe Romës.
Hetimet janë koordinuar nga Prokuroria e Republikës nëpërmjet Gjykatës së Milanos, me mbështetjen e Drejtorisë qendrore të Shërbimit të Antidrogës. Banda vepronte në të gjithë Italinë, kryesisht në pjesën veriore. Droga vinte nga Europa Veriore dhe nga Spanja, e fshehur në makina. Vlera e lëndës narkotike në treg do t’i jepte organizatës një përfitim prej 18 milionë eurosh. Deri tani Policia italiane nuk ka bërë të ditur ende identitetin dhe kombësinë e saktë të personave të arrestuar në kuadër të këtij operacioni.
Hetimet
Për t’i shpëtuar përgjimit të telefonatave, pjesëtarët e bandës i ndryshonin shpesh kartat e telefonit. Nga hetimet ka rezultuar se janë ndryshuar mbi 130 karta. Sipas mediave italiane, personat e përfshirë në këtë trafik përdornin kode të ndryshme për të përcaktuar ngarkesat e drogës. “Ditë pune”, “shok” ose “kushëriri” ishin termat që përdoreshin për të përcaktuar kokainën. Ndërsa korrierët e drogës thirreshin me emrat “gomar” ose “njëmijë lekë”. Dy shqiptarët që ishin në krye të këtij rrjeti ishin në gjendje të ngrinin një rrjet ndërkombëtar për të ndjekur të gjitha fazat e transportit.
Gaetano Mastropierro, komandanti i Guardia di Finanza i Firences është shprehur shumë i kënaqur për këtë operacion duke u shprehur se në muajt e fundit ka pasur një numër të madh arrestimesh të korrierëve të drogës, por operacioni i djeshëm goditi fortë rrënjët e strukturave të mirëorganizuara kriminale, duke shkatërruar një nga organizatat më të fuqishme të Italisë së Veriut që merreshe me shpërndarjen e drogës.
6 Shkurt 2010